Berisha: Të hënën mblidhemi për të votuar tre ligjet
Kryeministri Sali Berisha deklaroi nga qyteti i Kukësit se të hënën do të mblidhet parlamenti për të miratuar tre ligjet e integrimit. Berisha tha se ata shkojnë ballëlartë në këtë seancë, pasi Rama i ka bllokuar këto ligje.
Ditën e hënë do mblidhet parlamenti shqiptar për të votuar ligjet. Por aty ne shkojmë ballëhapur sepse bëmë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat, sepse ne çdo ditë kërkuam votimin e ligjeve, ndërsa ti mjeran vjen në parlament me çelësin në qafë. I bëj thirrje të votojë amnistinë fiskale nga viti 2011 gjer më sot për të gjithë shqiptarët. Se ti zotëri kishe amnistuar Koçon. Ti që i jepje Koços 80 % të tenderave të Bashkisë, të gjithë reklamat e kryeqytetit, ti që i llogarisje bulevardin për sheshe ndërtimi, refuzove amnistinë fiskale, ndaj të votojmë së bashku me ligjet amnistinë fiskale, tha Berisha.
Pak më herët ishte kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, që kërkoi votimin e tre ligjeve.
Është koha që kryeministri aktual të tregojë të njëjtën gatishmëri dhe qartësi pa ekuivok që ne në ditët që vijmë të votojmë 3 ligjet. T`i japim mesazhin e përgjegjshmërisë qytetarëve tanë duke demonstruar pjekurinë e duhur politike dhe frymën e bashkëpunimit që kanë nevojë reformat e integrimit evropian, por edhe të modernizimit të shtetit tonë, tha Meta.
Miratimi i tre ligjeve është edhe në interes të Doktorit duke qenë se shprehet se do fitojë zgjedhjet. I merr tani tre ligjet, ti zbatojë në shtator, është kompromis, jo pazar. Kjo nuk është lojë fjalësh, ana tjetër e bën këtë lojë, ata sduan të miratojnë tre ligjet, duan të vazhdojnë me akuza dhe tia faturojnë mosvotimin e tyre opozitës, tha Meta.
Kreu i LSI-së shtoi: Nëse do kishim drejtimin e parlamentit do kishim nisur procedurën zyrtare për miratimin e tyre, shpresoj që mazhoranca të veprojë me zyrtarizimin e kësaj rruge, pasi deklaratat tona janë publike./ep