E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani u kërkon mediave të mos acarojnë fushatën zgjedhore dhe shton se vizat me SHBA do të hiqen

nishaniPresidenti Bujar Nishani mblodhi paraditen e së enjtes përfaqësuesit e mediave në një mëngjes pune, për të diskutuar për rolin e tyre gjatë fushatës zgjedhore.

Pasi u kërkoi mediave që të monitorojnë me transparencë dhe realizëm fushatën dhe zgjedhjet, Nishani lëshoi edhe një kritikë, duke thënë se mediat nuk duhet të dramatizojnë situatën.

Shoqëria jonë ka manifestuar sjellje emocionale. Por ka qenë roli i medias, që në raste të caktuara nuk ka arritur të japë kontributin e saj për frenimin e emocioneve, tha Nishani.

Gazetari Sokol Balla tha se nuk ishte dakord. Ai tha se këto mesazhe duhet ti drejtohen politikës, pasi media nuk mund të mos e japë një lajm që ndodh. Roli i mediave mbivlerësohet. Nëse gjërat shkojnë keq, është faji i medias. Ne maksimumi mund të bëjmë një parashikim. Por moti i politikës ka teka të paparashikuara, tha Balla.

Sa i përket çështjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, presidenti tha se nuk do ndërmarrë asnjë hap për të ndërmjetësuar, madje i vlerësoi si të gabuara edhe ndërhyrjet e paraardhësve të tij në kriza të ngjashme. Nishani tha se nuk ia lejon Kushtetuta që të ndërhyjë.

I pyetur nga drejtori i ri i ATSH, Basir Çollaku për heqjen e vizave me SHBA, Nishani tha se kjo është e mundur.

Lëvizja e lirë është një mundësi pozitive, por qeverisë i takon të punojë fort bashkë me institucionet e tjera për të plotësuar standardet dhe kriteret. Edhe pas iniciativave që ka nga ana a presidenti Obama për të lehtësuar këtë proces besoj do jetë i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë dhe mund të arrihet pa diskutim, tha Nishani.

Ndërkohë Nishani është pyetur edhe në lidhje me deklaratat e kreut të PS, Edi Rama, se veprimi i parë që do bëjë kur të vijë në pushtet do jetë vendosja e fotos së Ismail Qemalit në çdo zyrë. Në këtë rast duhet respektuar ligji, tha Nishani./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›