Topi takon vëzhguesit e OSBE: Në këto 22 vite nuk ka pasur një situatë kaq të zymtë me KQZ-në
Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e misionit të vëzhguesve të OSBE-së për zgjedhjet, të kryesuar nga koordinatori special i OSBE-së, Roberto Batelli.
Pas takimit, Topi, në një deklaratë për mediat, theksoi qëndrimin shumë kritik të FRD-së lidhur me klimën parazgjedhore si dhe situatën anormale ne KQZ, qëndrime të cilat i ndau edhe me përfaqësuesit e OSBE-së.
Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin dhe kryetarin e opozitës të cilët sipas tij po shkelin me të dyja këmbët ligjin zgjedhor duke filluar nga shpenzimet marramendëse e deri tek uzurpimi i hapësirave mediatike në favor të tyre.
Përsa i përket krizës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Topi tha: Nuk besoj që në këto 22 vite të ketë pasur një situatë kaq të zymtë me KQZ.
Topi tha se nga mënyra se si është ndërtuar kontingjenti i partive në koalicione, do të sjellë parlamentin më të dobët në këto 22 vite.
Ne nuk qahemi, ne vetëm ekspozojmë situatën ashtu siç është. KQZ e sotme është totalisht më e keqe se ajo kur presidenti dhe KLD kishin në këtë institucion përfaqësuesit e tyre, tha Topi.
KQZ duhet të plotësohet në të kundërt nuk mund të ketë asnjë shpresë se gjërat do të përmirësohen. KQZ është themeli i aktivitetit që lidhet me zgjedhjet, nëqoftëse shembet themeli, ndërtesa rrëzohet./ep