E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të llogaritet çdo votë, Rama të ndalë aktet brutale

Në një konferencë për media në Kryeministri, kreu i qeverisë theksoi se votat e shpallura të kontestuara nga KZAZ-të e Tiranës, duhet të rivlerësohen në bazë të ligjit të miratuara nga dy forcat kryesore në vend, PD dhe PS. “Me hapjen e kutive për këshillin bashkiak dhe kryetarët e minibashkive, u gjendën vota të hedhura gabimisht për kryetarin e bashkisë”, tha Berisha.

“Komisonerët e përgjegjshëm të të dyja forcave politike i gjetën dhe i administruan si vota të panumëruara, të cilat nuk mund të flakeshin tutje. Këto vota iu adresuan komisionit zonal për Tiranën, për t’i shqyrtuar. Në ligjin shqiptar të zgjedhjeve këto janë vota të vlefshme. Nenet që përcaktojnë votat e pavlefshme janë më të saktët dhe më rigorozët, sepse vota është e drejta themelore më demokratike për çdo njeri. Ndaj kjo votë, të cilën ligji shqiptar e përjashton nga votat e pavlefshme, nuk mund të përjashtohet pa shkelur ligjin. Kjo votë meriton numërim të plotë dhe më pas mund t’i shtohet procesit të kundërshtimit. Për arsye të ndryshme, njerëzit u drejtuan në kuti të tjera, ndërsa detyra e qendrës së votimit, sipas ligjit, është që të drejtojë qytetarët në kutitë e duhura. Ligji urdhëron komisionin e qendrës së votimit të udhëzojë qytetarët”.

Duke komentuar hapjen e kutive që kanë fletë të kontestuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kreu i ekzekutivit shpjegoi se “rezultati është shpallur nga kryetari i KQZ-së si paraprak, jo zyrtar, pasi këtë nuk ia lë ligji. Ligji autorizon KQZ-në të shpallë vetëm rezultat përfundimtar dhe këtë ta bëjë pas proceseve ankimuese. Këtë ligj e kanë bërë të dyja partitë më të mëdha, PD dhe PS”.

Në vijim të shpjegimit të tij mbi KQZ-në, Berisha shtoi: “Ajo që kemi parë qysh pardje pasdite deri më sot, është se KQZ-ja po vepron me kompetencat e Komisionit Zonal të Tiranës, njëlloj me të gjitha rregullat e komisioneve zonale të qyteteve të tjera. Ligji i miratuar nga të dy palët ia jep KQZ-së këtë atribut dhe ky komision po përmbush atributin e tij ligjor si komision zonal, jo si Komision Qendror i Zgjedhjeve. Pra, po administron procesin dhe rezultatet e Tiranës”.

Lidhur me pretendimet e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, mbi parregullsinë e rinumërimit të votave nga KQZ-ja, shefi i kabinetit tha se kryetari i PS-së e deklaroi veten fitimtar bazuar në rezultatet paraprake. “Në deklaratën e tij të gjatë, z.Rama nuk përmendi kurrë rezultatin përfundimtar. Ndryshe bëri z.Basha, i cili nuk u shpreh asnjëherë se jam fitimtar, por do pres rezultatin përfundimtar. Tha se do dëgjojë zërin e çdo qytetari dhe nëse z.Rama del fitues, do ta urojë publikisht”.

Kryeministri u ndal edhe në ngjarjet e dy ditëve të fundit, ku deputetë dhe mbështetës të opozitës kanë tentuar të futen me forcë në mjediset e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Po bëhen përpjekje të paimagjinueshme për të bllokuar komisionin zonal të Tiranës”, theksoi Sali Berisha, duke shtuar:

“36 deputetë të PS-së tentuan ta bllokojnë dhe pushtojnë institucionin e ngritur bashkërisht me ligjin. Pse? Sepse ky komision ka tagrin për të nxjerrë tabelën përfundimtare të Tiranës dhe në bazë të ligjit, është i detyruar të përfshijë çdo votë, para se të bëjë shqyrtimin si KQZ. Pra u bë përpjekje për të asgjësuar institucionin përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve të Tiranës. Dje ishim dëshmitarë të sulmeve primitive të njerëzve me imunitet ndaj njerëzve me uniformë, të cilët po mbronin institucionin ku këto ditë rrahën zemrat e lirisë së popullit. Në përputhje me të gjitha shënimet e të gjithë komisionerëve të të gjitha palëve, komisioni i Tiranës po bën detyrën themelore, duke mos anashkaluar zërin e qytetarëve me votën e tyre të lirë”.

Dukë dënuar aktet e ditëve të fundit nga mbështetës së Partisë Socialiste, kryeministri garantoi se të gjithë qytetarët kanë të drejtë të plotë për protesta paqësore, por kujtoi ndëshkim për shkelësit e ligjit dhe dhunuesit e institucioneve. “Për 3 ditë me radhë, kryetari i PS-së dhe mbështetësit e tij, me akte brutale të organizuara dhe kërcënime të gjithanshme, kërkon të ndalë zemrën e sistemit elektoral. Diku vërsulen si primitivë mbi kokat e policëve, të tjerë djegin goma makinash duke mbushur me blozë qytetet, të tjerë bllokojnë ambulanca apo kërcënojnë fizikisht kryetarin dhe anëtarët e KQZ-së”, komentoi Berisha.

“Jam këtu për të garantuar të gjithë, se qëndrimi i maxhorancës është ligji dhe shteti ligjor”, përfundoi ai. “Garantoj qytetarët se e drejta për protestë paqësore do të respektohet, por garantoj edhe se dhuna e cilësdo natyre do të ndeshet me pasoja. Siguroj Ramën dhe të tjerët, që ligji garanton me siguri çdo votë. Ftoj deputetët të mos ndërmarrin veprime të verbra ndaj institucioneve, sepse gjëja më e fundit që mund të realizojnë, është të marrin mandate duke shkelur mbi fletët e votimit. I them z.Rama se shteti është dhe do të jetë në mbrojtje ndaj atyre që e sulmojnë. Institucionet e këtij vendi kanë të gjithë potencialin për të përmbushur detyrimet e tyre. Populli e tha si i tërë fjalën e tij dhe na mbetet të respektojmë e të përulemi ndaj çdo vote. Uroj dhe dëshiroj që vota të lexohet si duhet, dhe ftoj qytetarët që të respektojnë ligjin”.

/Start/

                                                                                             2011-05-19 19:53
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›