E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të përgatitemi për sezonin turistik

Kryeministri shqiptar nuk u përqendrua gjatë mbi situatën e nxehtë politike në vend, duke preferuar të flasë më tepër për turizmin.

Z. Berisha i bëri thirrje qytetarëve, qeveritarëve vendorë dhe përfaqësuesve të qeverisë qendrore, që të ndjekin me angazhim të plotë finalizimin e përgatitjeve për sezonin turistik, që sipas tij, do të jetë më i suksesshmi në historinë e vendit.

“Jemi vlerësuar nga agjencitë më prestigjioze të botës si destinacioni kryesor turistik i planetit. Shqiptarët kanë meritë për ngjitjen në këto nivele turistike. Ky sukses i madh, i paimagjinueshëm 5-6 vjet më parë, ka qenë meritë e mikpritjes shqiptare”, deklaroi kryeministri Berisha.

Më pas, ai i bëri thirrje të gjithëve që të bëjnë gjithçka për të mbajtur një mjedis sa më të pastër.

“Është rast i mirë për të krijuar përshtypje pozitive për vendin tonë. Së shpejti inaugurohen impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, por asgjë nuk zëvendëson kujdesin e qytetarit për një ambient më të pastër për vete dhe për turistët që kalojnë pushimet në vendin tonë”, theksoi z. Berisha.

Sa i përket situatës së fundit lidhur me procesin e numërimit të votave për kreun e Bashkisë së Tiranës, kryeministri shqiptar shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë stafit të KQZ-së, përfaqësuesve të forcave politike dhe efektivave të Policisë së Shtetit.

“Sot preferoj që tema e konferencës të mbetet turizmi. Gjithsesi, situata në vend nuk ndikon aspak në turizmin e Shqipërisë. Protestat janë dëshmi e një demokracie që funksionon”, përfundoi kryeministri Sali Berisha. /Start/

                                                                                             2011-05-22 13:48
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›