E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të përmbyturit do kompensohen qindark më qindark

Kryeministri garantoi qytetarët e Shkodrës se sistemi i digave të vendit është në sigurinë më të plotë dhe se sistemi i zbrazjes së tyre është plotësisht i sigurt. Duke risjellë në vëmendje përmbytjet më të fundit në këtë zonë, të vitit 2004, Kryeministri tha se shkarkimet kulmore të deritanishme nuk janë as gjysma e shkarkimeve më kulmoreve të vitit 2004. “Në tërësi qytetarët kanë pranuar evakuimin, por, krahas kësaj, ka pasur edhe të pafytyrë e të pamoralë, që janë përpjekur të shqetësojnë qytetin dhe që, sipas të gjitha të dhënave, për qëllime të ulëta politike,” u shpreh kreu i qeverisë.Ai i kërkoi Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile që  krahas përqëndrimit në evakuim, si përparësia më absolute, po kaq rëndësi t’i kushtojë post evakuimit. “Dua t’u deklaroj edhe njëherë, ndonëse ata më besojnë mua, qytetarëve të Dajçit, Obotit, Bushatit se do të kompensohen qindarkë për qindarkë për çdo humbje dhe nuk do të kenë kurrë fatin e qytetarëve të Tiranës, që i lau dhe shpëlau diga dhe nuk u dha kush një qindarkë. Kjo nuk mund të ndodhë. Qeveria ime ka mbështetur dhe do të mbështesë", tha kryeministri i vendit. Duke shprehur mirënjohjen ndaj qytetarëve, biznesmenëve, drejtuesve dhe qeveritarëve vendorë, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të kontribuar në mbështetje të banorëve të zonave të përmbytura, Kryeministri Berisha tha se ky solidaritet dhe kjo mbështetje është jashtëzakonisht e çmuar. Kryeministri ftoi Komitetin Ndërministror të hapë një numër llogarie, në të cilën do të vendoset edhe një pagë e Kryeministrit si kontribut modest për këto zona.                                                                                               

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›