Moti i akullt mbërthen Evropën
Shumë fluturime u shtynë apo u anuluan në aeroportin Orly të Parisit, në aeroportin e Dublinit dhe atë Skifolit në Amsterdam, si dhe në aeroportet kryesore britanike. Një tren i kompanisë “Eurostar” mbeti për dy orë i bllokuar të enjten brenda në tunelin që lidh Francën me Britaninë. Ndërkohë që katër trena të tjera të “Eurostarit” u anuluan. Në Gjermani, të paktën nëntë të pastrehë midis moshës 42 dhe 62 vjeç kanë ngrirë nga të ftohtit. Ndërsa shumë pjesë të Gjermanisë panë dje një rënie të temperaturave deri nën 10 C. Agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se të gjitha rrugët që të çojnë në Dublin janë të ngrira dhe të mbushura me akull, dhe qindra shkolla janë mbyllur. Bora ka mbuluar edhe një pjesë të madhe të Francës duke arritur deri në rajonin jugor të Bordosë. Bora e rëndë ka shkaktuar trafik të rënduar rreth Amsterdamit dhe Harlemit. Ndërkohë që në Hemavan, në veriun e largët të Suedisë, gjatë natës u regjistrua një temperaturë rekord, -40.8 C.Ndërkohë, numri i të vdekurve në Poloni ka arritur në 122, shumica e viktimave thuhet se janë të pastrehë.