E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të reduktohen burokracitë në kalimin e kufirit

Masat që duhen ndërmarrë për lehtësimin dhe reduktimin në maksimum të burokracive në kalimin e kufirit, duke mos cënuar sigurinë kanë qenë themeli i diskutimit të zhvilluar mes kryeministrit Berisha dhe disa ministrave të kabintetit qeveritar. Sipas Berishës, tashmë Shqipëria është një destinacion turistik shumë i rëndësishëm dhe për këtë arsye institucionet përkatëse duhet të kenë - angazhimin maksimal, në ofrimin e një shërbimi sa më të mirë, në pikat e kalimit kufitar, pa cënuar kushtet e sigurisë. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha, u shpreh se është i nevojshëm bashkëpunimi me të gjitha agjencitë që ushtrojnë kontroll në pikat e kalimit të kufirit. "Ju thirra që të gjykojmë dhe të dalim me një vendim, në rast se është e nevojshme me një vendim qeverie, ose me një marrëveshje të përbashkët midis të gjitha agjencive, që ushtrojnë kontroll në pikat e kalimit të kufirit."
Duke vlerësuar sistemin e kontrollit në pikat doganore të Morinës dhe Muriqanit, kryeministri kërkoi që të ndiqen të njëjtat praktika edhe në pika të tjera, duke lehtësuar sa më shumë të jetë e mundur fluksin e të ardhurve në këto ditë sezoni turistik. Kryeministri kërkoi nga ministrat e pranishëm ndjekjen e shembullit të vendeve të tjera, të cilat ofrojnë praktika të standardeve të larta bashkëkohore, në kontrollin e kufijve, që lehtësojnë burokracitë dhe ruajnë sigurinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›