Eno Bozdo: “Platforma ekonomike e Edi Ramës është aventuriere”
Zëvendësministri i METE, Eno Bozdo, takimi me tregtarët e Rrugës “Lord Bajron”
“Lajmi që zoti Rama u dha shqiptarëve në Konventën e Partisë Socialiste se ai do të aplikonte taksimin progresiv dhe do të zeronte taksat për biznesin e vogël, ide këto të cilat, që të nesërmen, u kundërshtuan në konferencë shtypi nga vetë eksperti fiskal bullgar i Partisë Socialiste, si ide që dëmtojnë ekonominë reale dhe nxisin evazionin fiskal. Kështu është shprehur zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Eno Bozdo, gjatë një takimi me tregtarët e Rrugës “Lord Bajron”, në njësinë bashkiake numër 11, Laprakë. Sipas tij, platforma ekonomike e zotit Rama është, në rastin më të mirë, aventuriere, por në të gjitha rastet, dërrmuese për ekonominë shqiptare dhe sipërmarrjen e lirë në Shqipëri. Në fakt kundërshtia programore e Partisë Socialiste është e qartë, theksoi Bozdo, “i premton biznesit të vogël zerimin e taksave, por individë-pronarëve të këtyre bizneseve u deklaron se do t`u rrisë taksat personale nëpërmjet taksimit progresiv; Thotë se ai nuk ka asgjë kundër shtresës së mesme dhe të pasur të shoqërisë, por sot asnjë nuk e di se sa do të jetë taksimi progresiv i shtresës së mesme dhe asaj të pasur: do të jetë 20 për qind, 30 për qind, 40 për qind apo edhe më shumë? Thotë se duhet përmirësuar klima e biznesit dhe të rritet liria ekonomike, por u premton bizneseve prishje të kontratave, anulim të privatizimeve si dhe shtetëzimin e ndërmarrjeve private”, theksoi Bozdo. Sipas tij, Shqipëria reale, Shqipëria e vërtete, ka nevoje të thellojë reformat, të nxisë investimet dhe sipërmarrjen, të krijojë më shumë liri ekonomike. Pasi platforma e Partisë Socialiste, bazuar në Shqipërinë virtuale, ofron pikërisht të kundërtën.
...