E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Thirrje opozitës të punojmë së bashku për integrimin, por qendrimi i Edi Ramës është paradoksal dhe jopolitik

Kryeministri shqiptar Sali Berisha e ka quajtur paradoksal qëndrimin e opozitës për të bojkotuar parlamentin dhe thotë se nuk do të ketë asnjë kompromis me të lidhur me vendimet e gjykatave. Duke folur për BBC-në nga Kopenhaga, ku po merr pjesë në Samitin për Klimën, zoti Berisha tha se ai e inkurajon opozitën që të punojnë së bashku për të çuar përpara afrimin e Shqipërisë me BE-në. "Opozita ka vendosur të bëjë opozitë jashtë parlamentare duke deklaruar se e njeh rezultatin e zgjedhjeve, ky është qëndrimi më paradoksal", thotë kryeministri Berisha. "Qeveria ka bërë ofertën e saj dinjitoze për rikthimin e opozitës në parlament dhe e mirëpret," tha ai. Zoti Berisha tha se pas marrjes së pyetësorit nga BE-ja ai i ka bërë "publikisht thirrje zotit Rama që të dalim në një konferencë të përbashkët shtypi e ta përshëndesim dhe të shprehim gatishmërinë për të punuar sëbashku". Ai tha se shumica është e gatshme për bashkëpunim me opozitën, por e përjashtoi mundësinë e një kompromisi të mundshëm për kërkesën e opozitës që një komision parlamentar të hapë kutitë e votimit si pjesë e hetimeve për parregullsitë në zgjedhje. "Kushtetuta nuk e lejon këtë, ligji organik i komisioneve parlamentare nuk e lejon këtë, pra unë nuk mund të them se do të jetë çështje kompromisi shqyrtimi politik i vendimeve të gjykatave," tha zoti Berisha. "Jam i sigurt se, nëqoftëse hapen kutitë dhe rinumërohen (votat), unë do të fitoja një mandat në Fier, por nuk më lejon mua, nuk ka ndodhur kurrë, që politikisht të shqyrtohet një vendim gjykate", tha ai....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›