Topalli: Vendi pret votat e opozitës për tre ligjet e marrjes së statusit

Në 100 vjetorin e Pavarësisë, Kuvendi pret nxënës e studentë nga e gjithë Shqipëria
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka ripërsëritur opozitës ftesën për të votuar ligjet me 3/5. “Ky është një vend që ka pasur një histori shumë të vështirë, por që sot, falë reformave të guximshme është anëtar në NATO, vend që tashmë pret votën e opozitës për 3 ligjet e integrimit në mënyrë që të marrim statusin e vendit kandidat e të përshpejtojmë hapat drejt anëtarësimit të plotë në familjen europiane”, është shprehur Topalli në një seancë të veçantë me nxënës dhe studentë nga e gjithë Shqipëria me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Kryetarja e Kuvendit tha se kjo vizitë e nxënësve, në tribunën e demokracisë, në shtëpinë e të gjithë shqiptarëve, merr një kuptim të veçantë në këtë vit historik të 100 viteve të Pavarësisë së Shqipërisë.
Gjatë bisedës me nxënësit, Kryetarja e Kuvendit ndau me ta refleksione mbi 100 vitet e shtetit shqiptar, duke theksuar se ky ka qenë një shekull i vështirë, një rrugë e trazuar gjatë të cilës shqiptarët kanë kaluar dy luftëra botërore, pastaj një gjysmë shekulli nën diktaturën komuniste.
Jozefina Çoba Topalli vuri në dukje se Shqipëria është vendi që falë përpjekjeve të vazhdueshme dhe punës së jashtëzakonshme arriti të rikuperojë shekuj të tërë gjatë të cilëve ora e historisë ishte ndalur.
Më tej, Kryetarja e Kuvendit theksoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët, veçanërisht të rinjtë ta njohin historinë e tyre ashtu siç është, me të gjitha të vërtetat dhe dritëhijet e saj, për të kuptuar më mirë çfarë duhet të projektojnë në të ardhmen.
“Unë, tha Kryeparlamentarja, kam një optimizëm të madh se ky vend në vitet e ardhshme do të bëhet edhe më i bukur, edhe më i zhvilluar dhe me prosperitet edhe më të madh”.