E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Tirana e Ramës, kryeqytet kancerogjen, tani qytet njerëzor

TIRANE - Kryeministri Berisha dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, morën pjesë sot në përurimin e Qendrës së Kontrollit të Trafikut Urban në kryeqytet. Kryeministri Berisha vlerësoi punën e Bashkisë së Tiranës, në atë që ai e cilësoi si shndërrim njerëzor që i është bërë kryeqytetit.

“Këto dy vite në Bashkinë e Tiranës kanë ndodhur ndryshime serioze, por për mua arritja më e madhe ka ndodhur në sheshin Skënderbej. Aparaturat e OBSH-së prej shumë vitesh e dëshmonin kryeqytetin si një qytet lartësisht kancerogjen. Ndotja e ajrit në sheshin e kryeqytetit dhe tek 21 dhjetori tejkalonin 2 herë, 3 herë çdo lloj limiti, dhe kalonin në nivelet e rrezikut dhe kërcënimit më maksimal. Kjo nuk është më, aparaturat sot tregojnë se qytetarët e këtij qyteti thithin ajër të standardeve dhe normave njëlloj si në qytetet miqësore ndaj mjedisit. Me guxim me një grup arkitektësh, urbanistësh të rinj , kryetari Basha transformoi sheshin Skënderbej. Qytetarët e kanë pëlqyer shumë, kritikët të cilët kanë dhe ata të drejtat e tyre, sot janë të bindur se kurrë në historinë e këtij sheshi nuk ka qenë më njerëzor se sa pas atij transformimi të shpejtë që i bëri kryetari. Për një qytet gjëja më e çmuar, më e rëndësishme është se sa ky qytet i shërben dhe si i shërben qytetarit, sa njerëzor është sa i shëndetshëm është,”- u shpreh kryeministri.

Ndërsa siguroi qytetarët e Tiranës për mbështetjen që qeveria do të vijojë tu japë projekteve për kryeqytetin, kryeministri Berisha u shpreh i bindur se qytetarët e Tiranës do të mbështesin koalicionin e djathtë më 23 qershor.

“Me manifestimin madhështor qytetarët e Tiranës dëshmuan se janë rreshtuar në anën e vlerave. Ata ndjehen të ofenduar dhe se aleanca që nuk i shërben Tiranës, nuk i shërben Shqipërisë”,- u shpreh Berisha.

BASHA: PUNOJME PER TIRANEN EVROPIANE
Kryebashkiaku Basha e vlerësoi këtë projekt si një nga qendrat më moderne në rajon, që me teknologjinë më të avancuar bën të mundur kontrollin direkt të trafikut me kamera e semaforë të komanduar. 

“Dua të falënderoj të gjithë grupin teknik të Bashkisë së Tiranës, BERZH për kredinë dhe qeverinë shqiptare që na mbështeti. Ky projekt vjen si një ndihmë për zgjidhjen e një nga problemeve më të mëdha në Tiranë, trafikun. Trafiku është përgjegjës për humbje kohe, humbje durimi dhe nervash, shpenzime të kota. Që në ditët e para Bashkia e Tiranës e ka konsideruar këtë si një problem madhor dhe ka hartuar një plan masash për ta zgjidhur atë. Eficenca maksimale e semaforëve do të bëjë të mundur që trafiku të menaxhohet më mirë”,- tha Basha.

Kryebashkiaku Basha, ndërsa listoi dhe një sërë investimesh të tjera që kanë nisur në Tiranë, falenderoi kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare, për mbështetjen e dhënë.

“Brenda ditësh nis puna për segmentin Unazës së Re, nga “Qyteti i Nxënësve” deri tek qendra “Kristal”, investim tërësisht i qeverisë shqiptare, sikundër nis puna për pjesën munguese të Unazës, nga Materniteti “Koço Glozheni” dhe lidhja më pas me Unazën e Re në Farkë e në pjesën jugore të qytetit të Tiranës. Vetëm para dy javësh, në seancën e fundit funksionale të parlamentit shqiptar, me propozimin e Kryeministrit Berisha kaloi akti normativ i cili depozitoi në arkën e Bashkisë së Tiranës 63 milionë euro për bulevardin e ri dhe për lumin e Tiranës dhe së fundmi me Bankën Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim, javët e ardhshme do të hapim koncesionin për terminalin multimodal të pasagjerëve, ku do të grumbullohen së bashku për herë të parë stacioni i ri i trenit, stacioni i tramit, stacioni i autobusëve ndërurban dhe linjat urbane, stacioni i taksive dhe i furgonave, duke lehtësuar sheshet dhe rrugët e qytetit nga ngarkesat e tepërta dhe problemet që sjellin shpërndarja e autobusëve urban dhe ndërurban në qytetin e Tiranës. Për këtë, na duhet mbështetja e vazhdueshme e qeverisë, na duhet bashkëpunimi i saj, na duhen garancitë e saj para bankave ndërkombëtare, na duhet pra ky partneritet që na ka sjellë deri këtu dhe me anë të cilit do të bëjmë të mundur realizimin dhe përfundimin e të gjitha investimeve që kemi nisur sëbashku, ndaj ju bëj thirrje të dashur qytetarë, që me votën tuaj me 23 qershor të bëni të mundur që ky bashkëinvestim të vazhdojë për ju, për familjet tuaja dhe për të gjithë shqiptarët që i thonë Tiranës kryeqytet” – theksoi kreu i Bashkisë.

Kryebashkiaku theksoi se Bashkia është e angazhuar për ta shndërruar Tiranën në një qytet modern dhe evropian.

“Jemi pra në një transferim rrënjësor të infrastrukturës së qytetit dhe qendra që ne sot inaugurojmë është maja e teknologjisë, me të cilën ne do të bëjmë të mundur që jo vetëm infrastruktura fizike por edhe menaxhimi i saj të jenë në përputhje me praktikat moderne evropiane, sepse ne duam dhe do ta bëjmë Tiranën një qytet modern dhe evropian. Për këtë, pa dyshim na duhet mbështetja e vazhdueshme e qeverisë, na duhet bashkëpunimi i saj, na duhen garancitë e saj para bankave ndërkombëtare, na duhet pra ky partneritet që na ka sjellë deri këtu dhe me anë të cilit do të bëjmë të mundur realizimin dhe përfundimin e të gjitha investimeve që kemi nisur së bashku, ndaj ju bëj thirrje të dashur qytetarë, bashkëinvestitorë, në këtë projekt të madh të transformimit të Tiranës, që me votën tuaj me 23 qershor të bëni të mundur që ky bashkëinvestim të vazhdojë për ju, për familjet tuaja dhe për të gjithë shqiptarët që i thonë Tiranës kryeqytet. Faleminderit!”,- tha Basha. 

Ndërkohë, Fabio Seri, përfaqësuesi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Tiranë deklaroi: “Është një nder të jem këtu, të shoh se çfarë është bërë me mbështetjen tonë, me mbështetjen e Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim. Është një projekt i rëndësishëm, është një projekt kritik për zhvillimin e Tiranës, për ta bërë Tiranën një qytet modern evropian. Ne jemi shume krenarë për bashkëpunimin e shkëlqyer me bashkinë, me të gjithë stafin. Dua të falënderoj me këtë rast stafin e EBRD dhe stafin e Bashkisë. Ne do të punojmë së bashku në këtë projekt dhe shpresoj që e gjithë kjo, të kontribuojë për ta bërë trafikun e Tiranës më të qëndrueshëm dhe më të mirë për qytetarët”

TE DHENA PER QENDREN E KONTROLLIT TE TRAFIKUT URBAN
Vlera 2.3 milion $ sipas marrëveshjes së Nën-Huasë 8.2 Milionë Euro midis Ministrisë së Financave dhe Bashkisë së Tiranës, nga të cilat 5.9 Milion Euro janë kontraktuar më parë
Procedura e prokurimit është zhvilluar sipas Standardit dhe Rregullave të Prokurimit të BERZH
Tenderi ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e 8 kompanive të mëdha ndërkombëtare të kësaj fushe
Fituesi JV “Swarco Mizar” S.p.A & “SCAE” S.p.A Itali, kontrata është lidhur në 31 Maj 2012.
Kohëzgjatja 18 muaj (plus 2 vjet Garanci dhe Mirëmbajtje).
Elementet dhe Qendra e Kontrollit të Trafikut Urban janë sipas arkitekturës më poshtë:

1. Qendra Operacionale e Kontrollit (TOCC).
2. Nënsistemin Urban Traffic Control (UTC
3. Nënsistem të Tabelave elektronike me mesazhe të ndryshueshëm (VMS.
4. Close Circuit Television System (CCTV) – Kamerat.
5. Një nënsistem për rrjetin e telekomunikimit, Telecommunication Network (TN)

1- Qendra Operacionale e Kontrollit (TOCC) e pajisur me servera dhe poste pune kompiuterike për operatorët për menaxhimin e sistemeve, mbledhjen e të dhënave nga gjithë pajisjet e nënsistemeve dhe stacioneve në rrugë nëpërmjet sistemeve bashkëkohore të komunikimit si 3G dhe Fibër Optike duke bërë të mundur lidhjen e sistemeve të ndryshme dhe programeve aplikative të veçantë për mirëadministrimin e gjithë këtij sistemi si një e tërë.

Eshtë realizuar restaurimi i qendrës, instalimet elektrike kryesore, instalimi i dyshemesë teknologjike, instalimi i Video Wall të kontrrollit, mobilimi i zyrave, instalimi i serverave dhe instalimi dhe konfigurimi i sistemeve operative software.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Prezantohen kandidatët e PD, Berisha: Uragani i fitores sot drejt Durrësit! Berisha: Alternativa tjetër e kaosit i sheh biznesmenët si kundërshtarë, e rrezikshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›