E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Topi rekord shkeljesh kushtetuese, Presidenca: Sulme të pabaza

TIRANE- Kryeministri Berisha ka akuzuar Presidentin Topi se ka shkelur Kushtetutën me propozimin e bërë për postin e nënkryetarit të KLD-së, duke shënuar kështu rekordin e shkeljeve të Kushtetutës.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët Berisha ka mohuar të ketë një konflikt mes KLD e Parlamentit për zgjedhjen e nënkryetarit të KLD-së, ndërsa ka nënvizuar se presidenti Topi është ai që po dhunon Kushtetutën.

“Nuk ekziston asnjë ngërç midis parlamentit dhe KLD-së. Ekziston një përpjekje e re për të dhunuar Kushtetutën e vendit nga Presidenti, i cili e mbyll mandatin, duke regjistruar akte rekord në historinë e demokracisë të dhunimit të Kushtetutës. Në konceptin më primitiv konsideron karrigen e Presidentit mbi ligjin themelor të shtetit. Pikërisht për këto arsye Gjykata e Lartë mbeti muaj të tërë pa kryetarin e saj, për këto arsye, të njëjtin fat pati edhe Gjykata Kushtetuese”, komentoi Berisha.

Për kryeministrin Berisha, Kushtetuta nuk lë asnjë hapësirë për zgjedhjen e nënkryetarit të KLD-së. Ai shtoi se në Kushtetutë përcaktohet qartë se nënkryetari zgjidhet nga parlamenti.
“Gjykata Kushtetuese i kërkon atij të kooperojë me parlamentin, por ai është i vendosur për interesa që ai i di vetë, të shfrytëzojë të vetmin moment që i ka mbetur të shkelë mbi Kushtetutën. Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 176 thotë se KLD përbëhet nga 15 vetë, nga të cilët 9 janë detyrimisht gjykatës të zgjedhur nga trupa gjykuese e vendit, pjesa tjetër nga parlamenti. Kushtetuta nuk ka lënë hapësirë. Në frymën e saj thotë se nga këta 9 gjykatës nuk mund të zgjedhë nënkryetari. Kushtetuta nënkryetarin e ka përcaktuar të zgjidhet nga parlamenti. Nënkryetari nuk mund të jetë ministër, se Kushtetua se lejon, as kryetari i Gjykatës së Lartë. Pra për të gjithë ata që nuk janë analfabetë të Kushtetutës, nuk mund të përmbyset përcaktimi i Kushtetutës”, komentoi ai më tej.

Berisha u tha gazetarëve se mazhoranca nuk do të marrë asnjë nismë ndaj Presidentit Topi edhe nëse ai nuk tërhiqet nga propozimi i tij për postin në KLD. Ai u shpreh se Topi duhet t’i kalojë i qetë ditët që i kanë mbetur në Presidencë, ndërsa nuk nguroi ta akuzojë se e ka kthyer këtë institucion në vendin ku organizohen mbledhjet e partisë së tij.

“Ne nuk ndërmarrim ndonjë nismë ndaj Topit, për arsye sepse janë muajt e fundit të tij. Ekzistojnë standardet më të papranueshme, në atë institucion, bëjnë mbledhje patickash, Institucioni i parë i vendit Presidenca i shndërruar në një patickë. Presidenca seli e një partie të vogël. Ne vendosëm që do ta tolerojmë, E garantoj që do jetë i qetë deri në ditën që të bëhet dorëzimi i postit të tij”, komentoi Berisha.

“Propozimi i nënkryetarit të KLD-së është kompetencë e Presidentit, këtu s’jemi kundër, s’ka asgjë kundër, por se si po e përdor këtë kompetencë s’ka asgjë për tu habitur, po e përdor për të thyer Kushtetutën, ne qartësojmë qytetarët. Nuk kemi asnjë nismë, vecse deklarojmë se gjithcka është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës”, komentoi ai më tej.

PRESIDENCA: SULMET E BERISHËS, TË PABAZA E ANTI-INTEGRUESE 
I menjëhershëm pa qenë reagimi i këshilltarit të Presidentit të Republikës, Afrim Krasniqi i cili i cilësoi të pabaza akuzat e kryeministrit Berisha për shkeljen e Kushtetutës nga kryetari i shtetit. Sipas Krasniqit, çështja e zgjedhjes së nënkryetarit të KLD-së është ligjore, ndërsa sulmet ndaj presidentit të vendit, janë anti integruese.

“Akti kushtetues i Presidentit është ndeshur me një fushatë bllokuese dhe denigruese të ndërmarrë nga zyrtarë të lartë të ekzekutivit dhe mazhorancës, përfshirë sot edhe Kryeministrin e vendit. Në përpjekje për zhvendosjen e krizës politike nga parlamenti në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe për tërheqjen e vëmendjes nga skandalet politike të radhës, Kryeministri dhe zëdhënësi i tij në Ministrinë e Drejtësisë, shpallën publikisht synimin e tyre për të deleguar në detyrën e lartë të Zëvendëskryetarit të KLD-së njërin prej kandidatëve të preferuar politikë, të zgjedhur në mënyrë të debatueshme në Parlament. Duke refuzuar votën konkurruese dhe procedurat kushtetuese, ata zgjodhën edhe këtë herë mjetet e presionit mediatik dhe verbal, shantazhin politik mbi Institucionin e Presidentit dhe të anëtarëve të tjerë të KLD-së, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për rendin kushtetues në vend dhe integritetin e institucioneve kushtetuese.”- u shpreh Krasniqi.

Këshilltari i presidentit sqaroi se nuk është shkelje e Kushtetutës nëse kreu i shtetit propozon për nënkryetar një anëtar të KLD-së që është gjyqtar, por me kushtin që në momentin e zgjedhjes së tij të japë dorëheqje nga detyra e gjyqtarit. Krasniqi akuzoi kryeministrin se me deklarimet e some shpalli publikisht synimin për të marrë nënkryetarin e KLD-së. 

“Këto zhvillime dhe presione politike të radhës për të kontrolluar pushtetin gjyqësor, përveçse një goditje ndaj sistemit të drejtësisë, ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese dhe ndaj sistemit kushtetues në vend, janë edhe një shkelje e rëndë e standardeve dhe kërkesave që Shqipëria duhet të përmbushë për marrjen e ftesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”- deklaroi këshillatri i presidentit.

Krasniqi theksoi se ata që po shkelin kushtetutën janë qeveritarët dhe kryeministri me emërime antikushtetuese në ushtri e duke firmosur marrëveshje për kufirin detar të cilat janë rrëzuar nga gjykata Kushtetuese.

“Akuzat e tjera se Presidenti i Republikës ka bërë shkelje të Kushtetutës tani e më parë gjatë mandatit të tij presidencial, përveç sa u tha më lart, e merr përgjigjen direkt nga arkivi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila gjatë pesë viteve të fundit ka vendosur me të drejtë në 10 raste kundër akteve ligjore të ndërmarra në mënyrë partizane nga ana e Kryeministrit, qeverisë dhe mazhorancës parlamentare, siç janë rastet e marrëveshjes së kufijve detarë, ligjin e pronave, etj. Asnjë vendim 5-vjeçar i Presidentit të Republikës nuk është rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe se, edhe në rastin e fundit, kemi të bëjmë vetëm me një vendim interpretues të procedurave të rotacionit në Gjykatën Kushtetuese.”- vijoi më tej ai.

Më tej Krasniqi i konsideroi spekulative dhe jo serioze edhe akuzat se Presidenti i Republikës dhe Institucioni i Presidentit po përdoren në funksion të projekteve politike të ardhshme.
“Edhe njëherë Presidenti i Republikës deklaron se është i vendosur t’i qëndrojë besnik deri në fund betimit të tij kushtetues, në shërbim të interesave madhore të vendit, duke nxitur bashkëpunimin institucional, frymën e dialogut dhe kohezionin social në shoqërinë shqiptare.”- përfundoi Krasniqi.

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›