Berisha: Traktati për Euron nuk u vendos në Bruksel, por aty ku isha unë
Kryeministri Berisha, fjalimin në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së ja ka kushtuar udhëtimit të tij në Francë. Në një fjalim alla komunist, Berisha është shprehur se ka prezantuar sukseset e Shqipërisë në Francë, ndërsa pohoi se të gjithë tashmë e vlerësojnë modelin dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Berisha është shprehur gjithashtu se, në takimet që ka pasur, ka njohur kolegët e tij me bllokimin që opozita i ka bërë vendit, gjë që sipas tij, ka penguar integrimin e vendit dhe marrjen e statusit kandidat për në BE.
Berisha ka folur gjithashtu edhe për traktatin e Euros. Sipas Berishës, marrëveshja u nënshkrua në Bruksel, por ajo u vendos në mbledhjen e Marsejës, ku ishte edhe ai present.
Gjatë takimit që pata me kryeministrin francez, e njoha atë me bllokimin që i bëri opozita procesit të integrimit, që është një rast unik në Europë. Ideja absurde e opozitës ishte që të dëmtonte qeverinë duke mos votuar ligjet, por bllokoi statusin e kandidatit për vendin. Tashmë opozita është kthyer të punojë.
Është fakt që kompani të mëdha franceze janë të pranishme në Shqipëri. Këtë gjë e dëshmon më së miri suksesi spektakolar i Carrefour. Hapësirat për bizneset e huaja në Shqipëri janë shumë të mëdha.
Kryeministri francez shprehu vlerësim të madh për modelin tonë ekonomike dhe për rritjen ekonomike që ka pasur Shqipëria. Kryeministrin e ftova të vizitojë Shqipërinë dhe ai e pranoi ftesën me kënaqësi.
E njoha kryeministrin me dy projektet kombëtare madhore, për pyllëzimin me dru frutorë dhe arrorë dhe ai më siguroi që do na mbështesë.
Fillimisht isha në Marseja, ku u mbajt samiti i Partive Popullore. Traktati për Euron u nënshkrua në Bruksel, por ajo u vendos në Marsejë, ku kishim samitin e partive të djathta.
Modeli ekonomik i Shqipërisë është bërë i njohur kudo dhe kjo mu pohua gjatë diskutimeve që pata në Marsejë.
Një nga spikerët e samitit pata fatin të isha edhe unë dhe aty parashtrova gjithë ndryshimet që ka pësuar Shqipëria. Pritja ishte jashtëzakonisht e ngrohtë dhe miqësore ndaj ekspozesë që bëra unë për sukseset e Shqipërisë, të cilat bazohen në taksat e ulëta dhe qeveria e vogël.
Në këtë udhëtim konstatova se ka një vlerësim të madh për modelin e saj ekonomik, ka thënë Berisha gjatë fjalimit të tij.