E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Procesi i integrimit të bazohet në meritë

Kryeministri Berisha e ka cilësuar vizitën e tij në Francë si mjaft të sukseshme ku u realizuan të gjitha objektivat.
 

Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha theksoi se gjatë takimit me homologun e tij francez mori mbështetjen e tij për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
 

“Për qeverinë time procesi i integrimit ky është një proces i bazuar në meritë dhe për shqiptarët duhet të jetë kryekëput i bazuar në meritë dhe nga ana tjetër qeveria do të bëjë gjithçka për të përmbushur të gjitha kërkesat e domosdoshme për procesin e integrimit” ka theksuar Berisha.

Ai gjithashtu theksoi se e ka njohur kryeministrin francez Fillon për për bllokimin që opozita i bëri procesit duke mos miratuar ligjet me 3/5. “E njoha kryeministrin Fillon për bllokimin që opozita i bëri procesit të integrimit duke mos miratuar ligjet me 3/5 me idenë se mund të dëmtojë qeverinë por faktikisht bllokoi marrjen e statusit si dhe me zhvillimet e fundit që janë krijuar komisione dhe opozita po punon normalisht në parlament. E njoha me ngritjen e komisionit bipartizan për reformën zgjedhore” ka theksuar më tej Berisha.

Kreu i qeverisë, ka theksuar se gjatë takimeve në Francë ka marrë edhe vlerësim të madh për modelin ekonomik dhe potencialet e shumta për investime të Shqipërisë . “Kryeministri Fillon më garantoi se do të bëjë gjithçka për inkurajimin, e bizneseve franceze”- tha Berisha, duke theksuar edhe garancinë e marrë për pjesëmarrjen e kompanive franceze në projektet e energjisë së rinovueshme.

Berisha u ndal në suksesin e Kongresit të PPE, që Sarkozi e deklaroi si rithemelues të Europës pasi ai parapriu samitin e Brukselit ku u vendos dhe firmosja e qeverive të zonës euro të një traktati të ri, që përbën bazat e financave të këtij shekulli, për BE, vendet anëtarë dhe të gjithë ata që aspirojnë në BE.

“Dua t`u them se pritja ishte e ngrohtë dhe miqësore ndaj asaj ekspozeje që unë bëra për suksesin e Shqipërisë bazuar në zbatimin rigoroz të politikave dhe parimeve, vlerave që ndajnë partitë e qendrës së djathtë, taksat e ulëta, qeveria e vogël, qëndrimi liberal ndaj ekonomisë, privatizimi, morën vlerësim shumë të madh në atë audiencë të nderuar”shtoi më tej Berisha.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›