E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Turizmi, energjia dhe minierat, sektorë të paeksploruar për investitorët



Nëse investitorët e huaj janë në dilemë se në cilin vend në rajon duhet të investojnë kapitalin e tyre, ata padyshim duhet të dinë se Shqipëria është vendi që i mirëpret, por mbi të gjitha, vendi që ka krijuar gjithë lehtësitë për të thithur investimet e huaja. Kryeministri Sali Berisha dje në Konferencën e Dytë të Investimeve të Huaja në Shqipëri ka ftuar investitorët e huaj të vijnë në Shqipëri, pasi ai theksoi se ekonomia shqiptare, më shumë se kurrë ka nevojë për investime në projekte vendimtare për vendin, të cilat do të rrisin hapësirat e tregut dhe do të përmirësojnë në vazhdimësi klimën ndaj biznesit. Së bashku me Kryeministrin Berisha të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministra të kabinetit qeveritar, Presidenti i IDB-së, zoti Muhamed Ali, drejtori i Përgjithshëm i Fondit të OPEC për zhvillim, zoti Sulejman Jasir Al-Herbish, përfaqësues të institucioneve ekonomike ndërkombëtare, investitorë të huaj, përfaqësues të trupit diplomatik etj. “Është një nder dhe privilegj për mua t’ju përshëndes sot dhe t’ju mirëpres në konferencën e dytë të investimeve të huaja në Shqipëri të organizuar nga IDB në vendin tim. Pra së gjithash më lejoni të shfrytëzoj rastin për të shprehur mirënjohjen time më të madhe miqve të mi, presidentit të IBD, doktor Muhamed Ali, drejtorit të Përgjithshëm të OFID, fondit të OPEC, zotit Sulejman Jasir Al-Herbish, institucioneve të tyre, por gjithashtu edhe vendeve të tyre, Arabisë Saudite, Kuvajtit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit dhe shumë e shumë vendeve të tjera, të cilat përmes këtyre institucioneve, direkt apo përmes institucioneve të tjera ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN etj., siguruan për vendin dhe kombin tim një mbështetje shumë bujare. Projektet e financuara nga taksapaguesit tuaj dhe institucionet tuaja, projektet e financuara nga IBD dhe OFID janë të shtrira në të gjithë vendin, në fushat më kryesore, të cilat kanë kontribuar mjaftueshëm për të përmirësuar jetën e shqiptarëve”, - ka thënë në fjalën e tij në konferencë Kryeministri Berisha. Ai tha se këto projekte të përfunduara ose në zbatim e sipër përfshijnë infrastrukturën, kujdesin shëndetësor, arsimin, bujqësinë, furnizimin me ujë etj. Duke vlerësuar konferencën si një mundësi të madhe për njohjen e potencialeve dhe mundësive që ofron Shqipëria, Kryeministri u shpreh se sot më shumë se kurrë ekonomia shqiptare ka nevojë për investime në projekte vendimtare për vendin, të cilat do të rrisin hapësirat e tregut dhe do të krijojnë një klimë shumë të favorshme për biznesin. “Sot është një ditë e veçantë për vendin tim. Më shumë se 100 investitorë nga Arabia Saudite, Kuvajti, Bosnja dhe shumë vende të tjera janë mbledhur në Tiranë për t’u njohur dhe për të kërkuar në potencialet e Shqipërisë, në nevojat dhe mundësitë e këtij vendi. Konferenca po mbahet në një moment shumë të rëndësishëm, në një moment kur ekonomia shqiptare ka një nevojë të madhe për investimet e huaja. Ekonomia shqiptare ka nevojë për financime, projekte vendimtare për vendin, të cilat do të rrisin hapësirat e tregut dhe do të krijojnë një klimë shumë të favorshme për biznesin”, - tha kreu i qeverisë. Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se kompanitë e reja do të gjejnë në Shqipëri mundësi të jashtëzakonshme për të shfrytëzuar në turizëm, energji, miniera etj. “Dua të theksoj se kompanitë e reja do të gjejnë në Shqipëri një ekonomi vërtet tërheqëse, dinamike, e cila shënon rritje në kohën më të vështirë për ekonominë botërore”, - tha Berisha. Nga ana tjetër në këtë konferencë, Kryeministri Berisha tha se qeveria shqiptare është në negociata e sipër me qeveritë e Azerbajxhanit, Turqisë dhe vendeve të tjera, për ndërtimin e një naftësjellësi, i cili do të kaloje përmes Shqipërisë dhe do të përfundojë në Evropë, të quajtur “Transadriatik 1”. "Ne po negociojmë me qeveritë e Azerbajxhanit, Turqisë dhe shteteve të tjera për ndërtimin e një naftësjellësi që do të kalojë përmes Shqipërisë të quajtur “Transadriatik 1” që do të ndërtohet nga dy kompani, njëra zvicerane dhe tjetra norvegjeze. Ndërsa një tjetër projekt i rëndësishëm në diskutim me qeverinë e Katarit është ai për ndërtimin e një impianti rigazifikimi dhe termocentrali me gaz në Seman”, - tha Berisha. Kryeministri përmendi dhe 6 parqet industriale dhe angazhimin e qeverisë për të ngritur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për mbështetjen e këtyre projekteve gjigante. “Jeni të mirëpritur të vlerësoni potencialet e mëdha që ofrojnë këto parqe industriale”.

Muhamed Ali: Do vazhdojmë të mbështesim rritjen ekonomike të Shqipërisë

Presidenti i IBD Group, Muhamed Ali, vlerësoi qeverinë shqiptare për mbështetjen e pakursyer dhe lehtësitë që u ka ofruar investitorëve të huaj, si dhe siguroi se IBD do të vazhdojë të financojë projekte të rëndësishme për vendin. Në këtë kontekst edhe drejtori i Përgjithshëm i OFID, zoti Suleiman Jasir Al-Herbish, vlerësoi stabilitetin ekonomik në Shqipëri dhe shprehu besimin se në të ardhmen Shqipëria do të tërheqë edhe më shumë investues të huaj, si pasojë e politikës së saj në përkrahje të biznesit. Presidenti i IBD Group vlerësoi si shumë të rëndësishme investimet e fundit të bëra në infrastrukturën shqiptare, duke veçuar rrugën Durrës-Kukës-Morinë, apo korridore rrugore që lidhin Durrësin me Greqinë apo Durrësin me Maqedoninë. “Kam rastin t’ju shpreh përgëzimet për progresin e arritur. Zoti Kryeministër jemi të lumtur që ju dëgjuam juve tek folët për këto arritje të rëndësishme shoqëruar me entuziazmin për të mbështetur biznesin. Është domethënës progresi që Shqipëria ka arritur në procesin e integrimit. Rritja ekonomike 6 % e dy viteve të fundit, rritja e investimeve të huaja janë gjithashtu tregues inkurajues. Ne do të vazhdojmë të mbështesim rritjen ekonomike të Shqipërisë sipas prioriteteve të qeverisë”, - tha Ali.

Prifti: Shqipëria, potencial rajonal për energjinë

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka ftuar dje investitorët e huaj të vijnë në investojnë në vendin tonë, pasi Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha natyrore si në atë energjetikë ujore, diellore, gjeotermale, ashtu edhe në atë minerare, pasuri kjo që Zoti ia ka dhuruar vendit tonë, duke e bërë atë një potencial rajonal për prodhimin e energjisë së rinovueshme. Prifti tha se sektori energjetik është jo vetëm një treg i veçantë në vetvete, por edhe burim për zhvillimin e jetës ekonomike dhe sociale në vend. Sipas tij, tërheqja e investimeve të huaja direkte është një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare. Prifti tha se eksperienca botërore ka demonstruar që IHD-të sjellin përfitime ekonomike të mëdha si për vendet në të cilat investohet, ashtu edhe për vendet e origjinës. Fluksi i investimeve të huaja direkte në vitet e fundit në Shqipëri ka qenë gjithmonë në rritje. Gjatë vitit 2008, fluksi i IHD-ve arriti 653 milionë euro ose 41% më shumë se fluksi i vitit 2007. Për 6 muajt e parë të vitit 2009, fluksi i IHD është 436 milionë euro ose rreth 90% më i lartë se e njëjta periudhë e vitit te kaluar. Ministri Prifti deklaroi se Interesi për ndërtimin e HEC-eve të rinj të mëdhenj dhe të vegjël, vazhdon të jetë prioritet i zhvillimit të këtij sektori, për vetë epërsitë që kanë HEC-et, si burime të rinovueshme kombëtare dhe lokale, me kosto të ulët, me impakte minimale në mjedis, me impaktin që japin në reduktimin e humbjeve teknike në transmetim dhe shpërndarje, për krijimin e tregut të brendshëm të energjisë elektrike etj. Ai përmendi edhe një sektor të rëndësishëm, atë minerar, në të cilin vendi ynë gëzon jo vetëm një potencial të rëndësishëm rezervash për tregun ndërkombëtar, por edhe cilësi të lartë përqendrimi kromi, nikeli, orkromi, hekuri, hekur-nikeli, bakeri, baokside etj. “Unë ju ftoj të investoni në Shqipëri, në fushat me interes për ju, dhe ju garantoj se mbështetja e qeverisë shqiptare do të jetë 100 % për investimet tuaja”, - tha Prifti.

Xhaferri: Turizmi, sektori ku duhet investuar

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri ka ftuar dje në konferencën e dytë të investitorëve të huaj, të gjithë investitorët të vijnë e të investojnë në këtë sektor. Xhaferri tha se Shqipëria është një vend i bukur dhe tërheqës. Ajo ka një gamë të gjerë atraksionesh historike, kulturore dhe natyrore që përbëjnë një interes të madh për turistët ndërkombëtarë. Vendi është i sigurt, njerëzit janë mikpritës dhe miqësorë. Ajo që është më e rëndësishme, vendi është ende “autentik”. Ai mbetet në një shkallë të madhe i paprekur nga ndikimi i huaj. Në këtë aspekt, Shqipëria është unike në llojin e saj dhe ofron një spektër shumë të gjerë mundësish investimi në fushën e turizmit. Përshkohet nga një vijë bregdetare me gjatësi 362 km dhe ka trashëguar mbi 2000 objekte të shpallura monumente kulture tre prej të cilave janë pasuri botërore e njerëzimit të mbrojtura nga UNESCO (Butrinti, Berat, Gjirokastër). Ai i ftoi investitorët të vijnë të investojë në sektorin e turizmit, pasi Shqipëria ka natyrë dhe klimë të favorshme, për zhvillimin e një turizmi të shumëllojshëm e gjithëvjetor. Ai tha se gjithë një e më tepër Shqipëria po rrit numri turistëve që zgjedhin vendin tonë, sipas tij numri i përgjithshëm i vizitorëve në Shqipëri për periudhën janar–gusht 2009 është rreth 2.1 milion vizitorë, ndërkohë që për vitin 2008 numri total i vizitorëve ishte 2.6 milionë. Xhaferri tha se Shqipëria është një vend i sigurt për investime në turizëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›