E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria projekton bashkëpunimin e ri me OKB-në



Qeveria diskuton ecurinë e programit “Një OKB” 2007-2010 dhe bashkëpunimin e ardhshëm me Kombet e Bashkuara. Ministri i Shtetit mblodhi dje Komitetin për Modernizimit e Qeverisë, takim në të cilin morën pjesë ministra dhe zëvendësministra, anëtarë të Komitetit. Mbledhja u drejtua edhe nga Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Gulden Turkozz-Cosslett si dhe drejtues të Agjencive të Kombeve të Bashkuara. Programi “Një OKB” 2007-2010 është ndërtuar mbi axhendën e reformave të vendosura nga shtetet anëtare të OKB-së, të cilat kërkuan nga sistemi i OKB-së të përshpejtojë përpjekjet për të rritur koherencën dhe efektivitetin e veprimeve në terren. Shqipëria u përzgjodh nga 8 vendet pilote në janar 2007, që është edhe i vetmi vend në rajonin e Evropës dhe i vetmi në fazën përpara anëtarësimit në BE. Ky program bazohet në elementë të përbashkët si: “Një Program”, “Një Buxhet”, “Një Lider” dhe “Një Zyrë”. Programi “Një OKB” është në vitin e dytë të zbatimit të tij. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ministri i Shtetit Genc Pollo theksoi se reforma e ndërmarrë nga Kombet e Bashkuara me iniciativën “Një OKB” përputhet plotësisht në konceptin dhe filozofinë e saj me reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit nga qeveria shqiptare. Gjithashtu, Pollo vlerësoi prioritetet e përfshira në programin “Një OKB”, të cilat janë të një rëndësie të veçantë për vendin tonë dhe në përputhje të plotë me prioritetet e përfshira në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, si dhe strategjitë sektoriale e ndërsektoriale. Ndërsa Gulden Turkozz-Cosslett, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, vlerësoi rolin udhëheqës të qeverisë shqiptare në hartimin dhe zbatimin e programit, si dhe bëri një prezantim të shkurtër të ecurisë së tij. Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për këndvështrimin e ministrive të linjës, dhe Agjencive të Kombeve të Bashkuara për zbatimin e programeve sektoriale të programit “Një OKB” dhe prioritetet për të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›