E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Turizmi është sot një nga degët kryesore të ekonomisë

Kryeministri shqiptar deklaroi se kjo degë e rëndësishme e ekonomisë është shndërruar totalisht në këto gjashtë vite të qeverisjes së tij, nga një degë inekzistente që ishte në të shkuarën. “Një nga zhvillimet më të mëdha e të fuqishme të 6 viteve të fundit ka qenë 11-fishimi i vizitorëve dhe turistëve që hyjnë në Shqipëri. Kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme për shqiptarët”, theksoi kryeministri Berisha.

Ai vlerëson se trashëgimia kulturore shqiptare është ndër më të pasurat në rajon, me objekte si Butrinti, Finiqi, Antigonea, kështjellat, etj, të cilat së bashku, sipas Berishës, me rendin dhe sigurinë e shkallës më të lartë në vend, kanë bërë që Shqipëria të jetë destinacioni kryesor turistik i planetit për vitin 2011.

Kryeministri Sali Berisha nuk la pa përmendur edhe demonstratat e djeshme të opozitës në katër qytete të vendit. “Shpreh vlerësim për qytetarët e rretheve të Vlorës, Lezhës, Korçës dhe Tiranës, të cilët nuk iu përgjigjen thirrjes për demonstrata të puçistëve, autorëve të së premtes së zezë të 21 janarit”, theksoi Berisha.

Gjithashtu, ai i caktoi ministrave të kabinetit qeverisës qarqet, për të cilat ata do të jenë përgjegjës dhe do të bashkëpunojnë me qeveritë vendore në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit. /Start/

                                                                                             2011-02-05 13:37
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›