E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI gati të përballet me PD-në në rast të bojkotit të opozitës

Në një prononcim për mediat, kryetari i LSI-së, Ilir Meta iu përgjigj interesit të gazetareve lidhur me qëndrimin e lidershipit të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 8 majit.

"Përsa i takon qëndrimit të liderishipi të opozitës, kjo është e vetmja opozitë në botë që ka frikë nga zgjedhjet dhe kërkon ti shtyjë ato", tha Meta.
    
Sipas tij, të ndërtosh një strategji desktruktive vetëm për të shmangur ballafaqimin në zgjedhje, tregon përfundimisht se kemi të bëjmë me një lidership të dëshpëruar.
    
"Natyrisht që kemi të bëjmë edhe me një opozitë që ndihet gjithnjë e më shumë pakicë, çka e tregojnë dhe manifestimet e saj, jo vetëm tërësisht të sforcuara, por dhe gjithnjë e në rënie", vuri në dukje z. Meta.
    
Lidhur me mundësinë që LSI të garojë përballë PD-së, në mungesë të opozitës, Meta nënvizoi se LSI-ja është e përgatitur për të dyja variantet.
   
"Kjo është dhe arsyeja që LSI po përzgjedh kandidatët e saj për çdo bashki dhe komunë. Në këto përgatitje të gjithanshme, LSI është e bindur se zgjedhjet e 8 majit do të konfirmojnë një realitet krejt të ri në drejtimin e pushtetit vendor, ku LSI do të ketë absolutisht një rol shumë herë më të madh se sa sot", përfundoi lideri i LSI-së, Ilir Meta. /Start/

                                                                                             2011-02-05 15:28
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›