E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Turizmi hapi 190 mijë vende të reja pune

17-08-2012 / Gazeta 55

Kryeministri e quan shumë të suksesshëm këtë sezon turistik. Përkundër përpjekjeve të e Edi Ramës i cili përmes kasnecëve të tij kërkon të hedhë baltë mbi zhvillimin e ëktij sektori, përmes fakteve reale Berisha bëri të ditur se investimet prej 220 milionë eurosh nga Qeveria në turizëm ka dhen frytet e veta në shtimin e turistëve me 277 mijë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kryeministri paralajmëron se që prej 1 shtatorit të këtij viti do të nisë zbatimi me rigorozitet i ligjit mbi ndërtimet e paligjshme në bregdet, nga Ksamili deri në Velipojë

Sezoni turistik ishte kryefjala e mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave. Kryeministri Sali Berisha u shpreh para anëtarëve të kabinetit qeveritar se turizmi i këtij viti është një nga arritjet më të ndjeshme, pasi u vërejt një rritje e numrit të turistëve të huaj, 277 mijë më shumë turistë të huaj gjatë 7 muajve të parë të vitit, të cilët fuqizuan më tej turizmin si degën kryesore të ekonomisë shqiptare, duke krijuar 190 mijë vende të reja pune, një shifër kjo rekord.
“Kryefjala e kësaj mbledhje nuk mund të jetë tjetër veçse sezoni turistik. Unë në emër të qeverisë dua të falënderoj se pari të gjithë ata shtetas të huaj dhe shqiptarë, të cilët pjesën më të ëmbël të vitit, pushimet ia besuan Shqipërisë. Me vendimin e tyre fisnik, ata bënë që sezoni turistik i deritanishëm të jetë sezoni më i paprecedent në historinë  vendit. Me këtë vendim ata bënë që Shqipëria të presë turistë të huaj, rreth 277 mijë më shumë gjatë 7 muajve të parë të vitit, se sa një vit më parë dhe kjo është një nga rritjet më të ndjeshme. Ata bënë që të fuqizohet më tej, si degë kryesore në ekonominë shqiptare dega e turizmit. Ata bënë që vetëm nga kjo degë të krijohen në vend 190 mijë vende pune, një shifër rekord. Të gjithë ata të cilët udhëtojnë nga Velipoja ne Ksamil konstatojnë morinë e jashtëzakonshme të vendeve të punës që funksionojnë në këtë sektor. Nga Velipoja në Ksamil, kurrë ndonjëherë nuk ka pasur një dyndje të tillë turistike. Dyndje të jashtëzakonshme ka njohur Jugu. Këshilltari i një ministri që nuk është sot këtu fjeti në makinë, në Sarandë, sepse nuk gjeti dhomë të lirë, kurse këshilltari im  e konsideronte veten fatlum se kishte arritur te gjente një dhome të lirë në Orikum, por miku i tij kishte mbetur në makinë. Të tilla janë kërkesat këtë vit, i tillë është fluksi”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se dyndje të jashtëzakonshme turistësh ka njohur jugu, ndërsa qeveria ka bërë më shumë se asnjëherë për kushte më të mira, pasi vetëm këtë vit janë investuar 220 milionë euro për turizmin.
Berisha tha se investime janë bërë dhe po bëhen në të gjitha zonat malore nga maja e Çajupit deri në Bjeshkët e Namuna dhe në Valbonë, Shishtavec, Prespë, Voskopojë. “Qeveria ka bërë shumë këtë vit, më shumë se çdo vit tjetër, për kushte më të mira. Me dhjetëra dhe qindra mesazhe vijnë nga Jugu me inaugurimin e dy rrugëve të bukura në një hark kohor një javor, rrugë këto të cilat kanë transformuar njëherë e përgjithmonë zonat jugore, turistike të vendit. Autostrada Levan-Vlorë e cila ishte pa diskutim dhurata më e bukur që i bëhej këtij qyteti në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, si dhe autostrada Levan-Dams që ka shkurtuar në mënyrë të jashtëzakonshme autostradën Gjirokastër-Tiranë. Në tërësi këtë vit janë investuar në turizëm më shumë se 220 milion euro. U inaugurua Terminali i Ri në portin e Durrësit një nga terminalet më të bukura në brigjet e Adriatikut. Janë ndërtuar dhe rindërtuar një nga një, të gjitha rrugët në vendet turistike të trashëgimisë kulturore, që nga Finiqi, në Drisht. Turistët kanë mundësi në një kohë të shkurtër të shijojnë dhe të pasurohen me trashëgimin e jashtëzakonshme që ka ky vend, pasi pothuajse të gjitha perandoritë e mëdha të kohës erdhën dhe shkuan dhe lanë gjurmët e tyre shumë të mëdha dhe lavdi Zotit ne mbetëm shqiptarë, falë nënave tona që ruajtën të pastër gjakun në shekuj dhe mijëvjeçarë. Turizmi ka njohur investime të mëdha në infrastrukturë, ujë, energji elektrike, në të gjitha fushat, por investime janë bërë dhe po bëhen drejt të gjitha zonave malore, nga maja e Çajupit, deri rreth Bjeshkëve të Nemuna, drejt Valbonës, Shishtavecit, Prespës Voskopojës, pra ka një hapje të potencialeve malore të vendit. Kurrë ndonjëherë malet e Shqipërisë nuk kanë pritur kaq shumë vizitorë sa këtë verë, nuk kanë njohur një numër kaq të madh vizitorësh, sa këtë verë”, tha ai.
Për kryeministrin Berisha, turizmi ishte një nga shtyllat që e mbrojti Shqipërinë nga kriza botërore.
“Kontributi në ekonominë shqiptare është shumë i madh, qindra miliardë lekë, por mbi të gjitha kontributi në luftën kundër varfërisë është rezultati më i shkëlqyer i turizmit pasi krahas qindra e mijëra vende pune që krijon direkt në të gjithë infrastrukturën e tij, ai përbën një avantazh të jashtëzakonshëm për prodhuesit shqiptarë, të cilët kanë tashmë një popullatë të disa fishur në zonat turistike të vendit për prodhime  e tyre dhe krijojnë të ardhura, zgjerojnë fermat, bëjnë investime, punësojnë, etj. Në fakt një nga shtyllat kryesore që mbrojti Shqipërinë nga kriza, që bëri që ekonomia shqiptare ti rezistojë presionit të tmerrshëm të krizës ekonomike financiare të Evropës dhe të botës është turizmi. Në qoftë se lexoni statistikat, kriza ka prekur në një farë mënyre intensitetin e trafikut ajror, por nga ana tjetër është shtuar në mënyrë thelbësore trafiku rrugor. Ata që udhëtojnë në fundjavë në rrugët e Shqipërisë harrojnë se janë në këto rrugë. Ka autokolona të pafundme që hyjnë në vend nga të katër anët e pikave kufitare”, tha ai.

“Rama sulme nihiliste kundër turizmit”
Kryeministri Berisha i bëri thirrje lidershipit socialist, Edi Rama që të mos hedhë baltë mbi turizmin, pasi nuk i shërben askujt. Kreu i qeverisë tha se plazhet e Durrësit dhe jo vetëm kanë qenë ndër më të frekuentuarat nga turistët.
“Unë shfrytëzoj rastrin ti them zotit Rama se kasnecë të tij që hedhin baltë duke cituar qytete, nuk i bëjnë nder PS, sepse ato qytete administrohen nga qeveritarë vendorë, të cilat janë larg të qenit të përsosur, por nuk mund të mohosh kurrë në atë shkallë nihilizmi që ta ata dëshmojnë, për mikpritjen dhe mbarëvajtjen e sistemit turistik. Ata të cilët sulmojnë Vangjushin për turizmin e Durrësit e kanë me ligësi. Unë nuk dua ta mbroj zotin Dako, se më rreptë se unë nuk qëndron kush ndaj tij, por tu biesh sirenave se ka rënë numri i pushuesve në plazh, në një kohë që po tu shtosh atyre të gjithë ata që pushojnë në plazhin e Hamallajt dhe të Gjirit të Lalzit, janë të gjithë në territorin e Durrësit. Në Durrës, jo vetëm që nuk janë pakësuar turistët por janë shtuar të paktën me 40 deri në 60 për qind. Sigurisht, që ky breg është për tu zbuluar e zhvilluar. Së bashku kemi qenë njëherë në inaugurimin e rrugës së Divjakës me Pushimin e Shoferit dhe aty gjetëm një zonë tërësisht të pacenuar, të pa ndërtuar. Sigurisht që ajo do të ndërtohet pas rrugës dhe nuk do të ketë një grumbull aq të madh në Divjakë, por do të ketë një shpërndarje më proporcionale. Sigurisht që ka shtrirje të turizmit në të gjithë territorin. Unë mund tu kujtoj ju sot se në statistikat e vitit të kaluar, Velipoja ka pasur një hotel më pak se sa Saranda. Njëra kishte 90, ndërsa tjetra 91. Pra ka një dinamizëm, nuk dua të mbroj kryekomunarët dhe kryebashkiakët, por puna e tyre, përkushtimi i tyre nuk mund të shkelmohet, siç shkelmojnë me një logjike fataliste përfaqësuesi i zotit Rama dy ditë më parë. Natyrisht një punë  më e madhe duhet bërë dhe unë ftoja autoritetet lokale të ngrihen në lartësinë e duhur sepse kanë shumë punë për të  bërë në drejtim të mjedisit dhe të pastërtisë, por absolutisht një ndryshim është”, tha ai.
Kryeministri përgëzoi të gjitha autoritet vendore, ministritë përkatëse për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në suksesin e këtij sezoni turistik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›