E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti sot pret Arvizun, dekreton Kodin Zgjedhor

Bledar Hoti

Nishani

Nishani i bën like faqes sociale të Lulzim Bashës, Partisë Demokratike dhe Forumit Rinor të Partisë Demokratike

Hapet faqja e re zyrtare e kreut të shtetit

Presidenti Bujar Nishani ka hapur një faqe të re në Facebook, duke tentuar tu përngjajë liderëve botërorë. Që në ditën e parë të faqes së re në Facebook, Nishanit i janë bërë 2350 persona miq. Por ajo që bie në sy është se kreut të shtetit pavarësisht se ka dorëzuar zyrtarisht teserën e PD-së me zgjedhjen në krye të piramidës shtetërore, duket se ende shpirtërisht është i lidhur me to. Nishani u ka bërë like (që i pëlqen shumë) faqeve sociale dhe zyrtare në Facebook të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, Opinionit të TV Klan. Në dorëzimin e teserës së PD-së, Nishani shprehej se i ka adresuar kryetarit të PD-së falënderimet për të gjithë vlerësimet që ka pasur nga strukturat e kësaj partie gjatë viteve të angazhimit dhe veprimtarisë së tij politike. Nishani, me këtë rast, ka nënvizuar të gjithë përgjegjshmërinë e tij për të qenë një President tërësisht jashtë ndikimeve politike të çdo pale dhe një përfaqësues i interesave të qytetarëve, vendit dhe kombit.

Arvizu

Ambasadori amerikan pritet të zhvillojë sot paradite takimin e parë zyrtar me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani

Presidenca ka njoftuar zyrtarisht se Presidenti Bujar Nishani do të zhvillojë sot paradite, në ora 11.00 një takim me ambasadorin e SHBA-së, Alexander Arvizu. Ky pritet të jetë takimi i parë zyrtar i Arvizu-së me Nishanin, pas zgjedhjes së të tij në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë që Presidenca nuk ka dhënë informacion mbi natyrën e vizitës. Nëse do të jetë si takim kortezie apo lidhet me prezantimin e numrit dy të ambasadës amerikane në Tiranë. Siç dihet prej ditësh Henry V. Jardine ka marrë funksionin e zëvendësambasadorit në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë. Ai ka pasur disa prezantime si me ministrin e Jashtëm, Panariti dhe me kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha. Takimi i Arvizut vjen pasi Nishani firmosi largimin e kreut të SHISH, Bahri Shaqiri. Ambasada e SHBA-së u shpreh se ishte e befasuar nga një vendim i tillë. Mbase ky takim mund të jetë si sqarim i Nishanit për vendimin e marrë, i cili përflitet se ishte pa bekimin e aleatit strategjik, SHBA-së. Vetë Arvizu i ka shmangur komentet publike.

Kodi

Presidenti i Republikës, Nishani, ka firmosur ligjin Për Kodin Zgjedhor. Ai u miratua me konsensusin vetëm të PD-së dhe PS-së

Kreu i shtetit ka dekretuar dje ligjin Kodi Zgjedhor, i miratuar vetëm me konsensusin e dy partive të mëdha PD-së dhe PS-së. Partitë e vogla, veç PDBNJ-së, votuan kundër apo dhe abstenuan ndaj një ligji të tillë, pasi elefantët e politikës nuk morën në konsideratë kërkesën për rishikimin e sistemit zgjedhor. Tashmë kreut të shtetit i duhet që brenda muajit shtator të nxjerrë një tjetër dekret, atë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parlamentare të vitit 2013. Zyra e Presidencës bën të ditur gjithashtu se janë dekretuar ndër të tjera edhe ligji Për ratifikimin e akteve dhe të dokumenteve të Kongresit të 24-t të Bashkimit Postar të Përbotshëm (UPU), Gjenevë, 2008; me Dekretin nr. 7739, datë 16.08.2012 shpalli Ligjin nr. 76/2012 Për ratifikimin e marrëveshjes për statusin ligjor të Qendrës Rajonale të Mjedisit për Europën Qendrore dhe Lindore; Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare; dhe Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8873, Për sigurimin e depozitave, të ndryshuar.

Garancia

Kryetari i Shtetit e siguroi Totozanin se e mbështet fuqishëm institucionin e Avokatit të Popullit në mbrojtje të të drejtave të njeriut

Totozani u ndal te moszbatimi i vendimeve të gjykatave

Presidenti priti dje në një takim Avokatin e Popullit, Igli Totozani, ku ndanë mendime për disa problematika me të cilat përballet shoqëria shqiptare. Kryetari i Shtetit e siguroi Totozanin se e mbështet fuqishëm institucionin e Avokatit të Popullit në misionin e tij fisnik në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Presidenti Nishani u fokusua tek aksesi në drejtësi për qytetarët, eliminimi i vonesave në praktikat gjyqësore, si dhe kërkoi nga Avokati i Popullit të jetë aktiv në trajtimin e rasteve shqetësuese që prekin funksionimin e gjyqësorit. Totozani gjatë bisedës me Presidentin Nishani u ndal në dy probleme të rëndësishme, si ai i moszbatimit të vendimeve të gjykatave, të cilin e konsideroi një nyje gordiane për sistemin e drejtësisë në vend dhe trajtimin me prioritet të grupeve vulnerabël të shoqërisë. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e garantoi Avokatin e Popullit për mbështetjen e Tij maksimale në ndjekjen me rigorozitet të punës së institucioneve të pavarura të drejtësisë në luftën kundër fenomeneve të ndryshme, që prekin qytetarët shqiptarë.

Presidenti sot pret Arvizun, dekreton Kodin Zgjedhor burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›