E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Veç sukseseve, policia ka nje sere problemesh madhore

Kritikat Krimi në familje dhe trafiku i drogës, çështjet më të goditura nga Kryeministri

Kryeministri nuk ka lënë mënjanë kritikat për policinë, duke ironizuar në disa raste edhe njoftimet e tyre për luftën kundër krimit të organizuar. Veç fjalëve inkurajuese për arritjet e bëra, ai ka vënë theksin mbi disa pika, duke kërkuar përmirësimin sa më të shpejtë nga ana e policisë. Një ndër këto pika të rëndësishme ishte edhe krimi në familje, që prek drejtpërdrejt komunitetin. “Krimet janë të shëmtuara, po më i shëmtuari i të gjitha krimeve është ai që ndodh në familje. Më krijohet përshtypja se kjo çështja në familje, po i bëhet si mburojë këtij lloj krimi. Dhe mendoj se nuk e kam shumë të gabuar këtë përshtypje. Disa vite më parë, ata që kryenin një krim në familje dënoheshin në nivelet më minimale. Unë ju ftoj ta përparësojmë në mënyrë absolute këtë krim. Ai që kryen krim në familje është krimineli më i shëmtuar. Ai që vret bashkëshorten apo fëmijën është monstër. Por, në qoftë se ka një krim që mund të parandalohet më shumë sesa format e tjera të krimit, është ky krim. Ky krim nuk vjen tërësisht si aksident, si papritshmëri, por në masën mbi 90 për qind ka ecurinë, historinë e tij në atë familje” u shpreh Berisha, duke shtuar se vrasja në familje është në përqindje jashtëzakonisht tronditëse dhe se me luftën kundër këtij krimi, ne shohim çdo gjë në shtëpinë tonë. “Ai që vret familjarët e vet, në qoftë se i cenohen të gjithë interesat, është i gatshëm të bëjë e vrasë çdo gjë. Ai nuk njeh më kufi, se kufiri i fundit do të ishte familja dhe po u shkel edhe ky kufi, nuk ka gjë tjetër përtej”, u shpreh Berisha. Më tej, ai vuri theksin mbi trafikun e drogës. “Kjo luftë duhet të konsolidohet më tej. Unë dua të jem i hapur. Komunikatat tuaja se u kap një kamion me kanabis, por shoferi iku, ju akuzon juve. Si mund t’ju ikë shoferi? Më mirë thoni se na e dorëzoi kamionin shoferi. Kur unë dëgjoj komunikatën e policisë se kamioni u kap, por shoferi iku, qytetarët kanë të drejtë të thonë se kamionin e dorëzoi shoferi. Këto raste janë pakësuar, por nuk duhet të ndodhin”, shtoi kreu i qeverisë. Ai nuk la pa përmendur edhe çështjen e korrupsionit, i cili i përgëzoi për luftën ndaj kësaj vepre penale, por nuk harroi të shprehë se nuk mund të rendet pas korrupsionit, nëse nuk luftohet brenda radhëve të policisë. Kryeministri Sali Berisha tha se ka rënie të mitmarrjes, por duhet çrrënjosur nga radhët e policisë. Ndërsa për trafikun rrugor, Berisha tha se çështja e aksidenteve rrugore është një çështje madhore për çdo vend të lirë, “por, në qoftë se studioni dhe ndiqni statistikën, do ta gjeni në nivelet më të larta”. “Unë kërkoj nga policia që të programojë punën në këtë fushë, në mënyrë që të ketë një rënie tjetër më drastike e të vazhdueshme të aksidenteve, deklaroi kreu i qeverisë në fjalën e tij në analizën e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›