Greket ne greve, veshtiresojne levizjen e lire
Në minutat e para të pasmesnatës së 15 dhjetorit, në pika të tjera të kalimit kufitar të vendit janë parë shqiptarët e parë që kanë ushtruar të drejtën e kalimit në Europë pa viza. Për ata që zgjodhën të kalojnë në Greqi, dita e parë e lëvizjes së lirë ka pasur problemet e saj. Doganierët grekë kanë nisur dje një grevë të përgjithshme, duke bërë që në pikat e kalimit kufitar të kalojnë lirshëm vetëm njerëzit, por jo automjetet. Ashtu siç ka ndodhur rëndom gjatë këtij viti të trazuar për Greqinë, mosfunksionimi i doganës ka lënë në pritje makinat me mall, por edhe veturat, duke lejuar kalimin vetëm për raste emergjente.
Në të gjitha pikat tokësore të kalimit kufitar me Greqinë ishin marrë qysh dje masa për përballimin e fluksit në dalje. Megjithëse sipas drejtuesve të policisë kufitare nuk pritej ndonjë fluks i jashtëzakonshëm, në Kakavijë janë vënë në funksion plot 15 sportele në dalje dhe vetëm tre sportele në hyrje të territorit shqiptar. Krahas Kakavijës, masa për shtimin e sporteleve kanë marrë edhe pikat kufitare të “Tri Urave” në Përmet, si dhe ajo e Sopikut, në pjesën juglindore të Gjirokastrës. Masa të jashtëzakonshme janë marrë edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në Korçë, si dhe në Qafë-Botë të Sarandës.
Megjithatë, pikat e vogla kufitare, siç është ajo e Qafë-Botës, nuk kanë qenë të hapura në mesnatë, kur nisi zyrtarisht aplikimi i lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë. Sipas shefit të komisariatit të kufirit në Sarandë, Roland Xhelili, janë ruajtur regjimi dhe praktika e deritanishme, që Qafë-Bota shërben si pikëkalimi deri në orën 22.00 të çdo nate, për t’u rihapur në orën 06.00 të mëngjesit të ditës së re.