E Diel, 1 Nëntor 2026

Muri ra, tragetet presin oren 00:00 per t’u nisur

Durrës

Vetëm pak orë para hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë brenda hapësirës Shengen, autoritetet portuale, forcat e sigurisë, policia kufitare dhe doganat në portet detare të vendit kanë rritur nivelin e masave të sigurisë dhe shërbimit. Përveç kësaj, në godinën e policisë kufitare të Durrësit deklarohet se janë bërë gati edhe ambientet e pritjes për ata që do të kthehen nga autoritetet policore të shtetit fqinj. Drejtuesit e autoriteteve portuale të Durrësit, Vlorës dhe Sarandës, përkatësisht Eduart Ndreu, Kasem Mahmutaj dhe Tafil Kola, kanë deklaruar marrjen e masave për të përballuar pa probleme fluksin e qytetarëve në dalje dhe në kthim, duke rritur njëkohësisht dhe cilësinë e shërbimit. Forcat e sigurisë portuale do të jenë barriera e parë për elementët kriminalë, përpos filtrit të policisë kufitare, në mënyrë që të mos cenohet procesi që hapi dritën jeshile për kalimin e kufijve. Ndërkaq, ora 00:00 e datës 15 dhjetor ka gjetur në kalatë, në pritje të udhëtarëve të parë me pasaporta, pa viza, dy tragete të linjës Durrës-Bari. Tragetet, ndonëse duhet të niseshin në orën 23.00 të së martës, kanë pritur trokitjen e datës së madhe për shqiptarët. “Ndihmoni qytetarët në procedurat e imbarkimit!” - ka qenë udhëzimi i ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi gjatë takimit të organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme Detare me qendër në Durrës, në të cilin operatorët diskutuan mbi masat e marra, ndërkohë që fluksi në këtë nisje të parë të lëvizjes së lirë qytetare drejt Europës parashikohet të mos e kalojë 25 për qind më shumë të fluksit të daljeve të një viti më parë. Ministri i Transporteve tha se, situata në tragetet e lundrimit nuk do të jetë ajo e verës së kaluar, pasi Konventa Ndërkombëtare Detare dhe kontrollet e ushtruara nga autoritetet vendase kanë bërë që të dalin jashtë shërbimit tragetet problematike dhe kontrollet duhet të vazhdojnë për të mundësuar cilësi në shërbim dhe një udhëtim të mbarë e komod, që duhet shoqëruar dhe me informacion të vazhdueshëm mbi kushtet e qëndrimit. Një nga shqetësimet kryesore për qytetarët shqiptarë mbetet ai i mjeteve financiare që ata duhet të kenë me vete për të mbështetur qëndrimin në vendet e zonës Shengen, po ky shqetësim nuk merr një përgjigje konkrete nga titullarët e kufirit dhe migracionit, dhe as nga ministri Olldashi. Pajisja me një pasaportë biometrike është i vetmi kusht që realizon ëndrrën e kalimit të kufirit, duke hedhur pas krahëve radhët dhe procedurat e pafundme për marrjen e një vize në ambasada. Ndërkaq, në portin më të madh të vendit deklarohet se janë marrë masat për shtimin e sporteleve dhe personelit që operon në to në varësi të fluksit. Nga 24 sportele që ka pasur sezonin e kaluar porti i Durrësit, do të ofrojë tashmë një kapacitet prej 35 sportelesh në shërbim të qytetarëve, ndërsa një letër-porosi drejtuar efektivave të policisë kufitare ndalet në sjelljen që ata duhet të kenë karshi qytetarit dhe detyrimet e tjera. Sipas kreut të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, Krenar Muça, masat janë marrë në të gjitha pikat e kalimit kufitar në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›