Berisha: Vendimi për liberalizimin e vizave, një ëndërr të realizuar të shqiptarëve Kryeministri Berisha gjatë një konference për shtyp

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, vlerësoi se shpallja publikisht i vendimit për liberalizimin e vizave për Shqipërinë është një arritje madhore historike për çdo qytetar shqiptar. Në një komunikim për mediat nga kryeministria ai tha se “kjo përbën një ëndërr të realizuar të shqiptarëve, por një ëndërr që nga rilindësit e tyre e gjer në ditët e sotme”. “Kjo përbën një premtim të mbajtur nga kjo qeveri, e cila ishte zotuar se do të merrte çdo masë, do të bënte çdo reformë, do të miratonte çdo ligj e vendim, në mënyrë që ky vendim, i shumëpritur prej shumë e shumë dekadash, të merrej në Bruksel”, u shpreh Berisha. Ai garantoi “komisioneren Malstrom, Komisionin Evropian dhe të gjitha vendet anëtare se tre çështjet e lëna në ngarkim të autoriteteve shqiptare për shqyrtim dhe zgjidhje do të trajtohen dhe po trajtohen me seriozitetin më të madh kjo qeveri, njëlloj si e gjithë paketa e kërkesave të udhërrëfyesit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave”.
“Në këtë kontekst, unë kam kënaqësi t’ju informoj se rekomandimi për strategjinë për rintegrimin e të riatdhesuarve, pas një pune shumë intensive, meqenëse kjo nuk ishte në kërkesat e udhërrëfyesit, por u shtua për arsye që dihen, ekspertët shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë kanë përgatitur një nga strategjitë më të shkëlqyera, që tani është në diskutim e sipër me faktorin ndërkombëtar dhe sapo të përfundoi ky diskutim dhe këto opinione, do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe Komiteti Ndërministror për Liberalizimin e Vizave”, tha kreu i ekzekutivit. Sipas tij, rekomandimi për forcimin e kapaciteteve ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është marrë dhe po merret me seriozitetin më maksimal të kësaj qeveria, duke angazhuar të gjitha burimet e nevojshme të mundshme. Më tej, ai tha se ministria e Brendshme dhe Prokuroria e shtetit kanë përgatitur trajnime të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit.