Berisha: Vizita e Ramës në Kosovë, akt hipokrizie

TIRANË, 16 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Kosovë, duke e cilësuar atë si “armik të egër të Kosovës, të lirisë dhe të dinjitetit të qytetarëve të saj”.
Në një videomesazh në rrjetet sociale Berisha theksoi se “me qëndrimet dhe veprimet e tij, Rama ka dëmtuar sovranitetin dhe udhëheqjen e Kosovës”.
Sipas Berishës, mbështetja që Kryeministri Rama i jep ish-udhëheqjes politike të Kosovës që ndodhet në Hagë është hipokrizi, pasi siç u shpreh ai, një nga shkaqet pse ata janë aty janë pazaret e Ramës me Beogradin.
“E kam denoncuar dhe denoncoj publikisht pretencën e prokurorëve të Hagës, si një pamflet të propagandës ultranacionaliste serbe ndaj ish-udhëheqësve politikë të Kosovës dhe të Luftës Çlirimtare të saj. E kam thënë dhe e përsëris, se ata kanë qenë aleatë besnikë, luajalë të Aleancës së Atlantikut të Veriut në terren, por jam i bindur se janë në Hagë, një nga shkaqet është vet Edi Rama”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së shtoi se Berisha tha se “duke u përpjekur që të paraqitet si patriot, në Këshillin e Europës, Rama iu bëri dëmin më të madh ish-udhëheqësve politikë të Kosovës në Hagë”.
Kreu i PD-së shprehu bindjen se ish-udhëheqësit politikë të Kosovës në Hagë kanë kontribute palcore në mbrojtjen e mijëra mijëra jetëve të qytetarëve të Kosovës nga gjenocidi serb.
“Kanë kontribute shumë të rëndësishme në mbrojtjen e qindra qindra jetëve të qytetarëve serb në Kosovë, nga hakmarrja për shkak të angazhimit të tyre në plojën e tmerrshme anti-shqiptare”, tha Berisha.
“Iu bëj thirrje gjykatësve në Hagë të gjykojnë mbi bazën e të së drejtës, ligjit dhe të shpallin pafajsinë e udhëheqësve politike në Kosovë”, përfundoi kreu i PD-së, Sali Berisha.
/k.s/j.p/