E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Vota per PD eshte vote per zhvillimin e vendit

Demokratet zhvilluan mitingjet permbyllese te fushates ne Kamez, Kavaje e Durres. Kryeministri Sali Berisha u tha qytetareve se me voten per te djathten ata zgjedhin legalizimin e banesave, dyfishimin e turizmit dhe zhvillimin e integrimin e vendit ne BE.
A mund t’i jepni votën dikujt që ju ka përçmuar dhe fyer për 11 vjet? Me këto fjalë u është drejtuar kryeministri Sali Berisha banorëve të Kamzës, në mbyllje të fushatës elektorale në këtë qytet, të cilën e quajti edhe qytet të demokracisë.
“Ju bëj thirrje, mos lejoni veten të mashtrohet nga një njeri i cili do mbetet në memorien e politikës së pari si gënjeshtari i lindur, së dyti si njeriu që në cdo tribunë është i detyruar të betohet se nuk do tradhëtojë kurrë se është simboli i pabesisë në cdo gjë. Erdhi këtu dhe ju tha se nuk ju ka thënë çeçenë dhe shpellarë, e harroi këtë dhe ju tha se jeni shpellarë në shpellën e Saliut. Ju jeni krenaria juaj. Nëqoftë se një banor i Kamzës, Paskuqanit tregon vetëm një të mirë që u ka bërë përvec se përcmimit Edvin Kristaq Rama, atëherë le ti besojnë” u shpreh kryeministri Berisha.
Të besosh defteret e Edi Ramës sipas kryeministrit, është si të besosh defteret e Don Kishotit dhe Sanco Pancos.
“Të besosh defteret e Edvin Ramës dhe Pjerin Ndreut është si të besosh defteret e Don Kishotit dhe Sanco Pancos. Kërkesa ime për secilin prej jush është që të bisedoni me çdo të afërm dhe të njohur dhe t’u shpjegoni se do ishte gabim fatal t’i besoni një njeriu të tillë” -theksoi Berisha.
Ndersa kryetari i Bashkise Basha ka premtuar se brenda shtatorit do të bëhet legalizimi i të gjithë banesave.
“Kamza me Xhelal Mziun dhe Tirana me mua do të përfundojmë legalizimet. Do të sjellim tapitë në shtëpi brenda 30 shtatorit. Ne kemi projektin më të mirë për zhvillimin e Kamzës dhe Tiranës”- theksoi kryebashkiaku.

Pas Kamzes, kryeministri mbylli fushatën në Kavajë, ku u premtoi banorëve se brenda shtatorit do të bëhet ndertimi i dy fshatrave turistikë.
“Fitorja e 23 qershorit do të jetë fitorja e punësimit masiv të qytetarëve të Kavajës dhe gjithë Shqipërinë. Fitorja hap dyert për dyfishimin e turizmit në Kavajë dhe shfrytëzimin e të gjitha potencialeve turistike të saj. Katër vitet që vijnë do jenë vitet e lidhjes direkte të Kavajës me Tiranën me autostradën. Do jenë vitet në të cilat Kavaja do kapë nivelet më të larta të zhvillimit. Katër vitet që vijnë do jenë vitet e integrimit të Shqipërisë, vitet e statusit dhe hapjes së negociatave për vend anëtar në BE.”- u shpreh kryeministri.
Me pas në Durrës kryeninistri Berisha ka deklaruar se fitorja e 23 qershorit do të jetë për Durrësin dyfishim I turizmit.
“Fitorja e 23 qershorit është fitorja e të rejave dhe të rinjve të Durrësit, shkollimit cilësor, punësimit masiv të tyre, heqjes së cdo takse për tre vitet e para. Është përpjekja jonë e madhe që të rinjtë me energjitë e tyre të ngjisin vendin sa më lart në teknologjinë e informacionit. Fitorja jonë para së gjithash është fitore e përpjekjes sonë për barazinë gjinore. Me programin e PD ne ja dolëm të përgjysmojmë dallimin në paga midis burrave dhe grave, katër vitet që vinë përsëri do ta përgjysmojmë dhe ju do merrni rolin që meritoni. Gratë dhe vajzat e Durrësit duhet ta dinë që me PD karriera e tyre ka njohur dimensione si asnjëherë më parë. Fitorja e PD, fitorja e 44 për gratë shqiptare do jetë ligji për statusin e nënave kryefamiljare. Fitorja e PD, Durrësit dhe mbarë Shqipërisë në 23 qershor do jetë fitorja e grave dhe burrave të moshuar të këtij vendi, i garantoj se s’do ketë pension nën 150 dollarë, do subvencionojmë udhëtimin e tyre, faturën e energjisë elektrike, ilacet. Për fermerët fitorja e PD do jetë trefishimi i granteve, sistem modern vaditje, pagesë me para në dorë të TVSH për cdo makineri, infrastrukturë moderne të njëjtë me qytetet në cdo fshat të Shqipërisë, mbrojtje e plotë e prodhimeve të tyre bujqësore nga konkurenca e ndërkombëtarëve. Fitorja e 23 qershorit do jetë për Durrësin, dyfishimin e turizmit, bizneseve të tij”-përfundoi Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›