Berisha: “Vota për PD-në, për një infrastrukturë moderne”
Inaugurohet rruga e fshatit Livinë, komuna Mesopotam (Delvinë), investim me vlerë 560 milionë lekë
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje rrugën e fshatit Livinë, në komunën Mesopotam, Delvinë, investim me vlerë 560 milionë lekë, financim i qeverisë shqiptare. Rruga, me gjatësi 4 kilometër, lehtëson transportin për 2000 banorë të fshatit Livinë. Në këto tetë vite në bashkinë Delvinë dhe komunat Vergo, Mesopotam e Finiq është investuar në ndërtimin e 35 kilometrave rrugë, 5 shkollave e kopshteve, 16 qendra shëndetësore e ambulanca, 5 sisteme ujësjellës e kanalizime. Së shpejti Delvina do të dalë plotësisht nga mënjanimi me përfundimin e plotë të punimeve të aksit rrugor Kardhiq - Delvinë, si dhe rikonstruksionin e rrugës Delvinë - Muzinë. Ndërtimi i rrugëve ka ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e biznesit të turizmit dhe atij agrar. Rrugët e reja Delvinë–Sarandë dhe Muzinë–Urë Gajdar e kanë përgjysmuar kohën e transportit, duke sjellë krijimin e 38 bizneseve të mesme. Qeveria ka subvencionuar 550 fermerë e blegtorë, me 72 milionë lekë, për 90 hektarë sipërfaqe të mbjella. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh se, fermeri është në qendër të politikave të qeverisë dhe se qeveria do të trefishojë investimet në bujqësi. “Ne sot duhet të bëjmë gjithçka për të ndihmuar çdo njeri në nevojë, secilin fermer që ka problemet e veta, por gjithashtu duhet të bëjmë gjithçka për emigrantët tanë. Unë ju garantoj se për ato 1000 hektarë, për çdo projekt të tyre, qeveria do të japë financime. Fshati Livinë, me një pozicion gjeografik mahnitës, e ka jetike këtë rrugë. Unë jam këtu për të garantuar banorët e fshatit Livinë, banorët e komunës Mesopotam dhe të Sarandës se katër vitet që vijnë do të asfaltojnë çdo rrugë të çdo fshati, do të ndërtojmë çdo ujësjellës të çdo fshati, çdo kanalizim të çdo fshati. Ju duhet të keni atje rrugën, shkollën, ujin, kanalizimet njëlloj si qytetit, të keni edhe sistemet e vaditjes për tokat tuaja. Ja pse ne angazhohemi për ju. Ja çfarë ne ju premtojmë ju. Ne kemi faktuar se jemi serioz nga zotimet tona. Ne në Sarandë, nga Konispoli deri në kufi me Himarën, kemi ndërtuar rrugë, kemi ndërtuar në fshatra, në qytet dhe do ti ndërtojmë kudo”- tha kryeministri. Duke u ndalur te akuzat e kreut të PS, Edi Rama kryeministri Berisha tha se “ka një muaj që shoku i autobusit mavi bën betejën e rrugëve, një betejë që të kujton personazhet e Servantesit dhe bërtet ku janë rrugët, nuk ka rrugë”. “Në fakt ka rrugë, ka autostrada nga më modernet, ka rrugë nga më panoramiket, ka nga Mifoli deri në Konispol ku autobusi mavi ecën në rrugë të reja, të ndërtuara dhe të rindërtuara. Por problemi është se xhamat e zinj të autobusit mavi nuk e lejojnë shoferin e autobusit të shohë gjë. Ndaj dhe ai shtron pyetje të tjera qesharake”- tha Berisha duke ftuar qytetarët të votojnë PD-në për një mandat të tretë qeverisës. “Ndaj ne le të vazhdojmë ne së bashku me alternativën tonë, të punojmë për një infrastrukturë moderne, të punojmë për rritjen e turizmit, të punojmë për lulëzimin e fermave tuaja, të punojmë për krijimin e vendeve të reja të punës, të punojmë për mirëqenie, të punojmë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, të punojmë për një të ardhme që e meritojmë. Ju keni derdhur lumenj djerse në tokat tuaja dhe në fshatin tuaj, meritoni një jetë shumë më të mirë. Ju atë po e ndërtoni çdo ditë dhe ne do të qëndrojmë pas jush, t’ju mbështesim ju” - theksoi ai.