“Persekutimi” i rrugëve, kambanë alarmi për njerëzit
Kur godet si i verbër apo si i xhindosur pikërisht aty ku Berisha ka pikën më të fortë, Edi Rama jep arsye të mendohet se ose e ka humbur krejt toruan nga parandjenja e humbjes, ose nuk ka pjekurinë apo mprehtësinë të shohë e kuptojë pikat më të dobëta të kundërshtarit të tij
E quajmë të justifikueshme kur Edi Ramën e zënë dridhma si prej epileptiku apo të droguari kur kujton, dëgjon dhe sheh Sali Berishën, sepse, në fund të fundit ka disa arsye të forta. I ka shkaktuar brenda 2 vjetëve, më 2009-2011 dy humbje radhazi, duke i bërë gjëmën sidomos me largimin nga kolltuku i kryetarit të Bashkisë të Tiranës, me të vërtetë “i artë” jo vetëm për të, por edhe për ortakët e tij, Koço Kokëdhimën, Dash Pezën, Fidel Yllin…Gjithashtu, nuk mund të themi se nuk ka aspak të drejtë që e urren Lulzim Bashën. Fundja, ka rreth 2 vjet që i ka zënë Ramës një kolltuk me përfitime dhe privilegje froni, sidomos nëpërmjet lejeve të ndërtimit dhe tenderëve shumë fitimprurës. Po kështu, nuk është krejt pa arsye që Edi Rama i flaku nga radhët e partisë dhe lista e saj e kandidatëve për deputetë, Kastriot Islamin, Arben Malajn, etj, etj. Fundja, kanë pasur guximin “e marrë” ta kundërshtonin dhe kritikonin burrërisht dhe publikisht, për ca gabime, që i kanë kushtuar jo pak partisë e të majtës në përgjithësi. Pra, urrejtja e liderit të PS-së për këta njerëz, sipas këndvështrimit dhe interesit të tij ngushtësisht personal e klanor, nuk është krejt pa baza. Gjithashtu, e mirëkuptojmë pse e ka përjetuar sikur i ka nxirë jetën dhe sikur e ka lënë pa bukë e ujë anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, pse i vret sytë lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë nëpër vendet e Zonës Shengen, Monumenti i Demokracisë në Kavajë, shtrirja e rrjetit të internetit dhe e dixhitalizimit në të gjithë vendin...Por, nuk mund të kuptohet pse i urren dhe përçmon, në spote dhe fjalime elektorale, po kaq shumë mijëra kilometra rrugë, që ka ndërtuar Sali Berisha në mbarë Shqipërinë, gjatë 8 vjetëve, pa e paraparë shumë nëse kalojnë nëpër bashki apo komuna, ku drejtojnë njerëzit e tij apo “opozitarë, por vëllezër” apo se ndërtohen nga kompani me pronarë socialistë. Gjithashtu, nuk duket fort e justifikueshme dhe e pranueshme balta apo pështyma që Rama hedh mbi rrugët që ka ndërtuar Lulzim Basha në Tiranë, brenda më pak se dy viteve, gjithnjë pa paraparë nëse përfshihen në njësi bashkiake që drejtohen nga kryetarë socialistë.
Meqenëse Rama shpreh vlerësim negativist apo minimizues për rrugët, edhe pse kam opinionin se është aq i verbuar nga dashuria për mendjen e vet sa nuk sheh gropat dhe greminat e gabimeve e të arbitraritetit, do të përpiqem t’i rikujtoj disa nga të mirat e rrugëve, si të atyre kombëtare, në nivelin e autostradave, ashtu dhe të atyre rurale. Njëkohësisht, edhe ta ndihmoj për t’u bindur se me spotet apo humorin me to tallet më shumë me vetveten dhe me partinë dhe koalicionin që drejton, jo si kryetar, por si pronar.
Së pari, duke menduar dhe dëshiruar të bëjë humor me kundërshtarin e tij, Berishën dhe me përkushtimin e tij, deri në mani, ndaj rrugëve, Rama nuk bën gjë tjetër veçse i jep të drejtë dhe e vlerëson. Sipas Ramës, Berisha qenka i dhënë aq shumë pas rrugëve, sa e paska tepruar, sa tek ato sheh zgjidhjen e shumicës së sfidave dhe të problemeve ekonomiko-sociale të vendit dhe të qytetarëve, si punësimi, sidomos i moshave të reja, ulja e nivelit të varfërisë dhe e mbijetesës me lista në minimarkete, rritja e ndjeshme e numrit të turistëve dhe e investitorëve të huaj, e tj. Natyrshëm lind dhe shtrohet pyetja: kush e ka gabim: Rama apo Berisha?
Analiza, qoftë edhe e përshpejtuar e avantazheve dhe të mirave të investimeve, projekteve dhe veprave në infrastrukturën rrugore i jep shumë më tepër të drejtë Berishës, për të mos thënë aspak të drejtë Ramës. Dihet teorikisht dhe praktikisht, nga përvoja dhjetëra vjeçare e vendeve më të zhvilluara në Europë dhe në botë, plot prej të cilave i ka vizituar si turist apo si politikan edhe lideri i PS-së, se rrugët sjellin zhvillim, përparim, punësim, turizëm masiv vendor e të huaj, investime të huaja, mirëqenie, integrim kombëtar, rajonal dhe më gjerë. Nëpërmjet rrugëve sigurohet shkëmbimi më masiv dhe i vazhdueshëm edhe i kulturave, arteve, shkencës, sporteve...Përveç këtyre, rrugët u kursejnë qytetarëve kohë, karburant, goma, para; u shtojnë jetëgjatësinë e automjeteve. I ndihmojnë fermerët e fshatrave të çojnë më shpejt dhe rregullisht në tregjet e qyteteve prodhimet e tyre bujqësore, blegtorale, të frutave dhe zarzavateve si dhe qytetarët të konsumojnë prodhime të freskëta dhe me çmime më të lira, si rrjedhojë e superprodhimit. Gjithashtu, i ndihmojnë fshatarët dhe qytetarët për punësimin familjar, duke hapur biznese në të dy anët e rrugëve nacionale apo rurale, si bare, hotel-restorante, pika karburanti, minimarkete...
Nuk mund të lihet pa i kujtuar liderit të PS-së, Edi Rama se rrugët që lidhin fshatrat me qytetet u shpëtojnë jetën sa e sa të sëmurëve dhe të aksidentuarve rëndë si dhe grave me lindje të vështira, duke i dërguar shumë shpejt në ambulancat e urgjencave, në spitale e në shtëpi lindjeje.
Të gjitha këto, sipas strategjisë së mirëpërgatitur dhe me konsulencë elitare ndërkombëtare të Berishës, mund të përkthehen në fitime të drejtpërdrejta financiare, punësimi, mirëqenieje për të gjithë, qytetarë e fshatarë. Ndërsa Edi Rama bëhet qesharak dhe i pabesueshëm, kur përpiqet në spote, intervista dhe fjalime estradeske t’u imponojë opinionin e tij ngushtësisht personal e partiak se qenkan shprehje apo dëshmi të rrënimit që u paska shkaktuar atyre qeverisja e Berishës.
Së dyti, duke u tallur me “rrugë-maninë” e Berishës, lideri i PS-së, Edi Rama, godet përsëri vetveten dhe paraardhësit e tij të para dhe pas 90-ës. Në fund të fundit, Berisha ka bërë gjatë 8 vjetëve të dy mandateve të parë rrugët që duhej t’i kishin bërë, të paktën 50 vjet më parë, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Spiro Koleka, Ramiz Alia e Adil Çarçani, dhe pas tyre, më 1997-2005, Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko, në të njëjtën kohë kur i kishin ndërtuar homologët e tyre në Jugosllavi, Rumani, Bullgari...
Së treti, duke u ndalur në Tiranë, duke u tallur me rrugët e Berishës, Edi Rama fshikullon përsëri vetveten, sepse gjatë afro dy viteve, Berisha dhe Lulzim Basha kanë asfaltuar dhe rikonstruktuar rrugët dhe rrugicat edhe brenda unazës së vogël e në qendër të Tiranës, që i kishte “harruar” ai gjatë 11 vjetëve si kryebashkiak. Ndoshta Lulzim Basha nuk duhej të kishte vënë dorë mbi këto rrugë, të paktën deri më 23 qershor, për t’i ruajtur si dëshmi të mosmbajtjes së premtimeve për rreth 11 vjet nga Edi Rama si dhe të cilësisë shkel e shko të punimeve nga Koço Kokëdhima.
Së fundmi, kur godet si i verbër apo si i xhindosur pikërisht aty ku Berisha ka pikën më të fortë, Edi Rama jep arsye të mendohet se ose e ka humbur krejt toruan nga parandjenja e humbjes, ose nuk ka pjekurinë apo mprehtësinë të shohë e kuptojë pikët më të dobëta të kundërshtarit të tij. Në të vërtetë, për t’i gjetur këto pika të dobëta e ka ndihmuar edhe vetë Berisha, duke pranuar në spotet dhe fjalimet e tij si dhe duke i futur në listën e detyrave parësore për mandatin e tretë, edhe disa objektiva të mbetura larg realizimit ose disa punë të kryera jo ashtu siç duhej dhe pritej nga ai dhe të gjithë qytetarët.
Siç kuptohet ky shkrim mund të kishte edhe titullin: “Po rrugët ç’të keqe të kanë bërë, o Edi Rama?