Investimi për terminalin e portit të Sarandës/Berisha: Hapet një kapitull i ri për industrinë e turizmit
“Terminali hyrës për anijet Crocere në portin e Sarandës është një investim i rëndësishëm jo vetëm për Sarandën, por edhe për gjithë Shqipërinë, pasi hap një kapitull të ri për zhvillimin e turizmit”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të këtij terminali. Kreu i qeverisë tha se ky terminal, që do të shërbejë për ankorimin e anijeve të mëdha të transportit, turizmit, pasagjerëve, por edhe krocierave, fut Sarandën në hartën e udhëtimeve më të mëdha turistike të Mesdheut, të Evropës e më gjerë. “Çdo qytetar i huaj që do të shkelë në këtë vend do të largohet shumë i kënaqur, i pasuruar me mbresa të pashlyera nga vizita në Sarandë. Në memorien e tij do të mbeten të pashlyera entuziazmi, çiltërsia, mikpritja e qytetarëve të Sarandës . Ashtu si trashëgimia e madhe, kulturore, historike, botërore, që do të vizitojnë, si Butrinti, Finiqi dhe shumë monumente të tjera të pavdekshme të kulturës, me një rëndësi të madhe për mbarë Evropën dhe njerëzimin”, deklaroi kryeministri. Përballë investimeve të mëdha, qeveria, vijoi z. Berisha, po ndërmerr gjithashtu edhe shumë politika fiskale për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve. Qeveria, informoi ai, ka vendosur të përgjysmojë taksat për të gjithë industrinë turistike të vendit. Ky hap, sipas tij, do të jetë një inkurajim i madh për industrinë turistike. Shqipëria, tha kryeministri, sipas raportit të Bankës Botërore, vitin e kaluar rreshtohet në 10 vendet me rritjen me të shpejtë të turizmit në botë. Qeveria, siguroi Kryeministri, do të bëjë gjithçka për të inkurajuar këto ritme rritjeje dhe për t’iu përgjigjur atyre përmes ndërtimit të infrastrukturës më moderne. “Në katër vitet që vinë do të rrisim investimet në mënyrë që të ecim drejt dyfishimit të numrit të turistëve me qëllim punësimin e qytetarëve”, deklaroi kreu i qeverisë. Duke vënë theksin në faktin se qytetarët dhe interesat e tyre janë objektivi i qeverisë, Kryeministri tërhoqi vëmendjen për mos praninë e kryetarit të Bashkisë së Sarandës në ceremoninë e inaugurimit të terminalit. “Kryetari i Bashkisë nuk del dot nga kthina e partisë ku është mbyllur për të qenë këtu me ne. Por unë ju garantoj ju se investimet do të vazhdojnë, pasi ne kemi të parë qytetarin dhe jo kryetarin”, deklaroi kryeministri.