E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Zgjedhjet do te behen me apo edhe pa socialistet

Kreu i mazhorancës sfidon opozitën: Nuk ka tërheqje

Kryeministri Sali Berisha sfidon opozitën, duke kaluar nga ngritja e komisionit për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit në një tjetër çështje që mban sërish si kryefjalë zgjedhjet, por këtë herë ato lokale. “Zgjedhjet do të bëhen, garantoj shqiptarët se do të jenë të lira dhe të ndershme. Zoti Rama le të shtrihet përdhe, të bëjë ç’të dojë, unë zgjedhjet do t’i bëj. Ju bëni si të doni, bojkot ose jo. Unë ju ftoj të merrni pjesë”, tha Berisha. Kreu i qeverisë, theksoi se “nëse ju doni të merrni pjesë, jeni të mirëseardhur, doni të bojkotoni… bojkotoni. Keni vërejtje për Kodin Zgjedhor, sillni amendamentet. Në të kundërt vazhdoni programin sipas kërkesave të kryetarit tuaj. Sipas Kryeministrit Berisha, mazhoranca ka pranuar çdo kërkesë të opozitës për hetimin e zgjedhjeve, por në përputhje me Kushtetutën, duke theksuar se opozita ka frikë nga faktet dhe provat për hetimin e zgjedhjeve. Kryeministri përdori sallën e Parlamentit për të lëshuar mesazhin politik të radhës se zgjedhjet e 8 majit do të bëhen me apo pa pjesëmarrjen e Partisë Socialiste. Fjalimi i parë i Kryeministrit zgjati 55 minuta, ku kreu i qeverisë e cilësoi idenë e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor pa fakte, prova apo grup-fakte si një ‘mission impossible”. Kryeministri ritheksoi se opozita nuk ka fakte për të vërtetuar pretendimet e saj për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe ka akuzuar socialistët se veprojnë në bazë të ideve komuniste. “Juve ju nxit Nexhmija”, u ka thënë ai atyre. “Kushti im i vetëm është të shtohet pika për respektim të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor”, tha Berisha. Negociatat e fundit të socialistëve për ngritjen e komisionit, Kryeministri i cilësoi si ballo me maska. “Në vend të hetimit ju kërkoni kontroll dhe do na thoni pastaj se ne erdhëm për kontroll. Nuk mund të ketë hetim pa fakte, ju juristët e PS-së hidhini diplomat se kaq gjë duhet ta dini”, tha Berisha. Duke mos humbur edhe këtë herë shansin për ta atakuar kryetarin e Partisë Socialiste, Berisha tha se “kryetari juaj, i cili zbret nga një familje pushteti tjetër, parashuton në skenën politike si zëdhënës i bllokmenëve, si produkt i bunkerit në bllok. Ky mentalitet i lejon atij të japë vetëm truke dhe mashtrime”. Sipas tij, “përveç bojërave të nxjerra nga një profesor i dështuar, nuk u nxjerr qytetarëve asnjë vizion për të sotmen e tyre. Ai theksoi se mazhoranca është e gatshme të nisë hetimin e zgjedhjeve me kusht që në projektvendimin e Parlamentit të përfshihet pika e kërkuar nga demokratët për hetimin e zgjedhjeve, duke respektuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, çka do të çojë komisionin hetimor të marrë materialet zgjedhore në Arkivin e Shtetit dhe jo në KQZ, siç kërkon PS. Berisha theksoi se hetim pa fakte nuk do të ketë kurrë.

“Doni komision hetimor parlamentar, jam plotësisht dakord, kërkoni hetim pa fakte, kjo nuk do të ndodhë kurrë. Doni numërim, të numërojmë çdo gjë sipas ligjit dhe do të dalë si Shkodra madhështore. Komisioni hetimor nuk është komision kontrollor.

Mos u tallni me Kushtetutën. Mazhoranca është gati për çdo komision në përputhje me ligjet”, tha Berisha. Ashtu si në seancën plenare maratonë të 23 dhjetorit, ku u diskutua ngritja e komisionit hetimor, Kryeministri Berisha u shpreh se për të pranuar propozimin e opozitës në tre pikat kyçe të këtij komisioni, siç ajo i ka kërkuar, duhet të shtohet dhe një pikë e katërt, ajo e respektimit të Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës. “Mos u tërhiqni nga rinumërimi, nga hapja e kutive të votimit, por gjithçka brenda ligjeve të vendit”, theksoi Kryeministri.

Në vijimësi të deklaratave të tij, Berisha hodhi akuza të drejtpërdrejta edhe për liderin e opozitës, Edi Rama. “Ai është i betuar si armik i vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Pasi humbi zgjedhjet ai bëri çdo gjë që të hynte në koalicion me Berishën. Nuk kisha asnjë kundërshtim, por vendi ka nevojë për një opozitë. Dhe çfarë bëri ai, tha jo nuk e njoh rezultatin, nuk e njoh Parlamentin. Më vonë Rama kërkoi komision hetimor parlamentar, pranova pikë për pikë ato që rezoluta e PE-së kërkoi. I propozova gjithçka, nuk deshi sepse ai kishte një fiksim patologjik të paimagjinueshëm, vizat e tmerronin, i prishin gjumin, ishin tmerri dhe ferri i tij”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›