E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozita hetim burimit te 1 milion USD

Prokuroria: Shuma është paguar për privatizimin. Nuk dihet burimi i të ardhurave

Prokuroria ka zbardhur “ryshfetin” që i është paguar shtetit për privatizimin e ish-Ekspozitës “Shqipëria sot”. Bëhet fjalë për një shumë rreth një milion USD. Kjo shumë është paguar nga pronarët që pretendojnë se kanë trashëguar këtë godinë dhe truall. “Pas mbledhjes së dokumenteve dhe dëshmive nga persona të ndryshëm, duke përfshirë këtu deklaratat e deputetit Shalsi, dëshmive të personave që pretendojnë se janë pronarë dhe të disa biznesmenëve, njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka filluar një verifikim të prejardhjes së shumës prej një milion USD që është paguar për ‘blerjen’ e truallit dhe godinës”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila saktëson se për të verifikuar këto të ardhura duhet një kohë. Paraprakisht dyshohet se kjo shumë është paguar nga disa biznesmenë që qëndronin pas pronarëve, megjithatë hetimet e mëvonshme të zbardhin të gjithë aferat me këtë privatizim nga ana e Ministrisë së Ekonomisë gjatë kohës që drejtohej nga Genc Ruli.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se trualli ku gjendet ish-Ekspozita “Shqipëria sot” do të shërbente për ndërtime shumëkatëshe. Hetimet e nisura nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës kanë përcaktuar se pas pronarëve qëndronin disa biznesmenë të fuqishëm, të cilët dyshohet se kanë influencuar në Ministrinë e Ekonomisë për privatizimin e godinës dhe truallit, madje duke paguar edhe një shumë. Hetuesit e çështjes kanë kryer një sërë verifikimesh, që nga marrja e dokumenteve në ministri, në hipoteke e deri te pyetja e personave që kanë nënshkruar tjetërsimin e kësaj godine dhe trualli. Së fundmi, në prokurori janë paraqitur edhe pronarët që pretendojnë se kanë trashëguar këtë godinë. Pyetjeve të hetuesve të çështjes nëse në këtë zonë do të kryheshin ndërtime, ata i janë përgjigjur se po, pasi kishin kontaktuar me disa biznesmenë për ndërtime shumëkatëshe. Prokuroria po heton nëse këto kontrata janë lidhur para se të kryheshin procedurat për privatizimin e truallit dhe godinës.

“Hetimet janë në fazën e mbledhjes së informacioneve. Fillimisht janë marrë shkresa nga Ministria e Ekonomisë dhe më pas janë pyetur specialistë të zyrës së privatizimeve në këtë ministri. Në pyetje është marrë edhe denoncuesi i këtij skandali, Eduart Shalsi, ndërsa janë marrë prova shkresore edhe në zyrën e hipotekës”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se po shikohet mundësia që pas fazës së marrjes së provave shkresore nga zyra e hipotekës, të thirret për dëshmi edhe ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, personi i cili është akuzuar nga deputeti Shalsi për këtë privatizim. Hetuesit thanë se Ruli mund të thirret nën cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, ndërsa hetimet e mëvonshme do të përcaktojnë rrjedhën e kësaj dosjeje të nisur pas denoncimeve publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›