Berisha: Zgjedhjet e pjesshme provuan farsën zgjedhore

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi si farsë elektorale, procesin e zgjedhjeve të pjesshme lokale të zhvilluara në Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë, një ditë më parë.
Pas shpalljes së rezultatit, ku mazhoranca fitoi në të pesta bashkitë, Berisha teksa falënderoi kandidatët që garuan në zgjedhje, akuzoi qeverinë për manipulim të procesit.
“I falënderoj përzemërsisht për guxim që treguan dhe konstatuan që Shqipëria ka vetëm farsë elektorale. Tani edhe botërisht po fillon të njihet, një autokraci elektorale, apo diktatura autoritare. Kështu që ata bënë të pamundurën, ata qytetarë intelektualë, të profesioneve të ndryshme, biznesmenë të pavarur, por konstatuan se këtu nuk ka zgjedhje, por ka farsë”, tha Berisha.
Në një prononcim për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, i pyetur nëse i bojkotoi këto zgjedhje, Berisha tha se zgjedhjet nuk u bojkotuan.
“Po të ishte bojkot themi i bojkotuam. Ju s’më keni dëgjuar njëherë të bëjë thirrje qytetarëve të votoni apo jo. Ne mbështetëm dhe u regjistruam për shkak të këtyre, sepse nuk përfitonin komisionerët”, tha Berisha.
“Ishin disa veprime të studiuara mirë që treguan se, kjo qeveri zgjedhje nuk bën. Se qytetarët e kanë kuptuar dhe nuk mund të dalin në zgjedhje”, tha Berisha. /m.q/j.p/