Berisha: Zgjedhjet në Libi, arritje historike

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Libi. Duke i cilësuar si zgjedhje të lira të cilat zhvillohen pas pesë dekadash diktature, Berisha shton se ato janë një fitore e madhe dhe historike për Libinë dhe për popullin mik libian.
Ndërsa ka përcjellë urimet më të mira të qeverisë shqiptare për këtë arritje të madhe historike, Berisha ka shprehur njëkohësisht edhe vullnetin e Shqipërisë për zhvillimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona.
“Këto zgjedhje ishin kurorëzimi më i çmuar i përpjekjeve dhe sakrificave të jashtëzakonshme që qytetarët liridashës të Libisë mike bënë gjatë pranverës arabe, për çlirimin e tyre nga diktatura paranojake e famëkeqit Gedafi dhe klika e tij barbare. Zgjedhjet e para të lira në 50 vitet e fundit janë themeli i ndërtimit të idealeve të lirisë, demokracisë dhe shoqërisë së lirë” thekson më tej kryeministri.