Berisha: Zgjidhja e vetme, opozita të plotësojë vakancën në KQZ
Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Zyrës për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit te Shteteve të Bashkuara, z. Jonathan Moore
Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë që kjo çështje të zgjidhet sa me shpejt në zbatim të Kodit Zgjedhor. Në këtë kuadër, Kryeministri u shpreh se, në kushtet kur
Kuvendi nuk ka marrë ende vendim për të pranuar dorëheqjet dhe shpallur vakancat e tri vendeve të opozitës në KQZ, anëtarët e dorëhequr mund të rikthehen në detyrë menjëherë. Si alternativë, Kryeministri theksoi se mazhoranca është e gatshme që, nëse opozita dërgon kandidatura të reja në Kuvend, t’i votojë ato në seancën e jashtëzakonshme të datës 30 maj
Kreu i mazhorancës, Sali Berisha priti dje në një takim Drejtorin e Zyrës për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit te Shteteve të Bashkuara, z. Jonathan Moore, i cili shoqërohej nga Ambasadori Aleksandër Arvizu. Kryeministri i uroi mirëseardhjen z. Moore dhe e falënderoi për ndihmën e jashtëzakonshme që qeveria e Shteteve të Bashkuara i ka dhënë vazhdimisht Shqipërisë. Z. Moore e falenderoi Kryeministrin për pritjen në këtë fazë të rëndësishme të fushatës zgjedhore dhe shprehu interesin e madh me të cilin SHBA ndjekin procesin zgjedhor. Kryeministri Berisha nënvizoi se fushata zgjedhore ka filluar prej mëse dy muajsh dhe ka qenë një fushatë e civilizuar dhe me ecuri normale. Ai shprehu bindjen se të gjitha partitë kanë interes dhe mbështesin një proces zgjedhor me standardet më të larta dhe e garantoi z. Moore se mazhoranca ka bërë dhe do të bëjë gjithçka për të siguruar këto standarde për zgjedhjet e 23 qershorit.
Kryeministri e njohu shkurtimisht z. Moore me përgatitjet zgjedhore, ku vuri theksin në përmirësimin e madh të kornizës ligjore, infrastrukturës së votimit dhe asaj të numërimit.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e madhe për angazhimin e madh të faktorit ndërkombëtar, e veçanërisht të SHBA në dërgimin e numrit më të madh të mundshëm të vëzhguesve.
Kryeministri theksoi se një mision i fortë vëzhgimi i përbërë OSBE/ODIHR, shtetet anëtare të OSBE, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, etj, është një garanci e madhe për transparencën e procesit dhe besueshmërinë e rezultatit zgjedhor. Në këtë kuadër, Kryeministri nënvizoi rëndësinë e pranimit të rezultatit nga të gjitha palët.
Në takim u diskutua edhe në lidhje me KQZ-në dhe nevojën për plotësimin e vendeve në të. Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë që kjo çështje të zgjidhet sa me shpejt në zbatim të Kodit Zgjedhor. Në këtë kuadër, Kryeministri u shpreh se, në kushtet kur
Kuvendi nuk ka marrë ende vendim për të pranuar dorëheqjet dhe shpallur vakancat e tri vendeve të opozitës në KQZ, anëtarët e dorëhequr mund të rikthehen në detyrë menjëherë. Si alternativë, Kryeministri theksoi se mazhoranca është e gatshme që, nëse opozita dërgon kandidatura të reja në Kuvend, t’i votojë ato në seancën e jashtëzakonshme të datës 30 maj. Në takim u bisedua edhe për çështje të rajonit ku theksi u vu tek marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimit të saj.
Selami-Moore: Zgjidhja për KQZ-në, sipas kuadrit ligjor shqiptar/Pas takimit me kryetarin e PS-së, Edi Rama, zyrtari i DASH-it, Jonathan Moore zhvilloi një takim me kandidatin e PD-së për deputet, Eduard Selami. Pas takimit, Selami deklaroi për mediat se e garantoi Drejtorin për Europën Qëndrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, për angazhimin dhe vendosmërinë e PD-së për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe me standarde. I pyetur nga gazetarët nëse zyrtari i DASH-it kishte sugjeruar gjatë takimit ndonjë alternativë të mundshme për zgjidhjen e ngërçit në KQZ, Selami theksoi se çështja e institucionit të zgjedhjeve duhet të zgjidhet mbi bazën e legjislacionit shqiptar. “KQZ-ja është një problem që na takon ne shqiptarëve që ta marrim, mbi bazën e ligjit tonë. PD është e interesuar për funksionimin e KQZ-së me 7 anëtarë”- deklaroi Selami.