E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat me SHBA dhe pamundësia e Ramës

29-05-2013 / Nga Ermal Kozici

Heqja e vizave me SHBA-ne ka çuditur shumë radhët e opozitës shqiptare që edhe njëhere gjendet një hap mbrapa Kryeministrit karizmatik Berisha. Normalisht propozime të tilla të guximshme qytetarët do t’i prisnin nga lideri i opozitës që synon pushtetin dhe jo nga Kryeministri aktual që kërkon mandatin e tretë qeverisës. Por a ka gjasa që vizat me SHBA të liberalizohen? A është kjo utopi politike, pamundësi reale apo paaftësi e udhëheqësve tanë që të arrijnë të tilla objektiva? Kush ka ndjekur procesin e liberalizimit të vizave mes vendit tonë dhe BE e di që një çështje shumë e rëndësishme është vazhdimësia e reformave. Përmbushja e kushteve që të çojnë tek liberalizimi i vizave qoftë me BE dhe qoftë me SHBA apo Anglinë janë hapa të domosdoshëm dhe nuk duhen parë si pengesa të pakapërcyeshme. Ne tashmë udhëtojmë të lirë në hapësirën Shengen dhe teorikisht do kemi mundësinë ta bëjmë këtë edhe me SHBA-në. Për të kaluar nga teoria në praktikë është e rëndësishme që të analizohen pyetjet e shtruara më sipër. Kemi te bëjmë me utopi kur realizimi i objektivit është realisht i pamundur. Por a është i tillë objektivi i vënë nga Kryeministri Berisha? Nëse shohim argumentet e palës opozitare të shprehura më shumë në formën e ironisë dhe deklaratave kundërshtuese, mund të dallojmë shabllone që i drejtohen qytetarëve ose shembuj të thjeshtëzuar dhe referenca pa forcë argumenti real. Deklarata të tilla vetëm sa orientojnë mendimet e votuesve të opozitës dhe nuk japin një alternativë mbi opsionet që jep kreu i mazhorancës. Periudha elektorale dukshëm ndikon ke palët politike në Shqipëri, por liderët  dhe udhëheqësit e vërtetë janë të tillë pikërisht se dallojnë e shohin të mundshmen ku të tjerët nuk e shohin. A është e mundshme liberalizimi i vizave me SHBA-ne? Në fakt pse jo?! Pse për Greqinë është e mundur dhe për ne jo? Mos vallë jemi ne më pak pro amerikanë se grekët apo vende të tjera? Përkundrazi. Atëherë? Këtu sërish, fatkeqësisht, ndihet që vonesa në votimin e 3 ligjeve ka ndikimin e vet. Barra për këtë më shumë i bie opozitës dhe meqenëse caktimi i personazheve me mangësi menaxheriale në poste drejtuese që nuk u takojnë është bërë ves mes radhëve të opozitës, atëherë problemi është real. Mes angazhimit dhe fjalës së Kryeministrit, është fjala e kreut të opozitës. Edhe pse ende sot nuk kemi një angazhim konkret dhe alternativë të Ramës mbi liberalizimin e vizave me SHBA, mund të gjykojmë se e duam një gjë të tillë të ndodhë apo jo? A duan shqiptarët të udhëtojnë të lirë në SHBA? A duan ata që të ndihen të vlerësuar si qytetarë të vendeve të tjera nëpër botë që udhëtojnë pa pengesa në SHBA? A duan nënat dhe baballarët të shohin fëmijët e tyre në çdo kohë dhe pa ankthin e pritjes së përgjigjes së burokratëve mbrapa hekurave të ambasadës amerikane në Tiranë? Të duash është pa asnjë kosto. Të kthesh dëshirën në realitet është sfida e vërtetë. Kush nga liderët politikë mund ta guxojë diçka të tillë? Kryeministri aktual e ka treguar se arritja e objektivave të vështirë dhe të pohuara si gjoja të pamundura është një lloj hobi i tij. Ai e ka dëshmuar me NATO-n, me vizat me BE-në, me vizitat e ish-Presidentit Bush dhe zonjës Clinton në funksionin e ish-Sekretares së Shtetit, me vendosjen e dokumenteve shumë moderne dhe shumë të besueshme për të udhëtuar pa probleme nëpërmjet gjithë vendeve të botës. Po rivali i tij? Përveç mangësisë së të lexuarit dhe mangësisë arsimore në krahasim me Kryeministrin aktual, lideri i opozitës në Shqipëri është në disfavor të dukshëm edhe për sa i përket ideve dhe forcës që i duhet për të bërë vepra të mëdha e të besueshme që u shërbejnë të gjithëve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›