E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zgjidhja, jo ndarje pushteti

Kryeministri: S’do ketë zgjedhje të parakohshme dhe as dhënie institucionesh kushtetuese

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje i gatshëm t’i sigurojë Partisë Socialiste hetimin e 10 problemeve nga lista me 11 të tilla që ajo ka ndeshur në zgjedhjet e shkuara parlamentare. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në televizionin “Klan”, Berisha theksoi se e vetmja kërkesë që ai nuk mund të plotësonte nga lista e kërkesave të socialistëve ishte ajo që lidhej me rinumërimin e votave në disa zona që ato kërkohen. Po kështu, Berisha theksoi se konsensusi mes palëve nuk mund të ishte kurrsesi një ndarje pushteti. Sipas tij, diskutimet në Presidencë janë tërësisht zgjedhore dhe nuk lidhen me asnjë kompromis tjetër me balancim institucionesh kushtetuese. “Përveç disa lajthitjeve të fillimit nuk është bërë as nga zoti Rama një kërkesë për institucione kushtetuese”, theksoi Berisha. Ai insistoi se nuk mund të përsëritet më ajo çka ndodhi pas zgjedhjeve të vitit 2001, sepse situata nuk është e njëjtë. Nga ana tjetër, Berisha hodhi poshtë idetë se vendi mund të shkonte në zgjedhje të parakohshme të përgjithshme. “Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen të dielën e fundit të muajit qershor të vitit 2013”, theksoi Berisha, duke shtuar se nuk mund të flitej as për zgjedhje të parakohshme vitin e ardhshëm, kur do të mbahen edhe zgjedhjet lokale. Kryeministri theksoi se në një komision hetimor parlamentar, mazhoranca ishte e gatshme t’i lejonte opozitës të kishte shumicën, të hetonte të gjitha çështjet që donte, por pa prekur vendimet e gjykatave dhe interpretimet që kishte bërë Gjykata Kushtetuese mbi hetimin parlamentar. Sipas tij, ky ishte koncesioni më madhor që mazhoranca mund t’i bënte opozitës dhe se në këtë mënyrë zgjedhjet hetoheshin në mënyrë të plotë sipas ligjeve në fuqi. “Edi Rama ka listuar vetëm 11 probleme për zgjedhjet, vetëm një ka të bëjë me rinumërimin, të tjerat i hetojmë, atë kërkesë jo. Madje Partia Socialiste mund të bëjë edhe propozime të tjera. Por ky komision nuk mund të hetojë çështje për të cilat kanë shprehur verdiktin e tyre gjykatat dhe për të cilat Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk angazhon as mazhorancën dhe as opozitën të ndërmarrë hapa”, bëri të qartë Berisha. Kryeministri theksoi se “soditjet” e kutive që kërkohen nga PS-ja nuk mund të konsiderohen kurrsesi si hetim. Sipas Kryeministrit, zgjedhjet janë konsideruar si të lira dhe të ndershme nga të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët janë shprehur se nuk ka pasur në to asnjë provë për manipulim. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se zgjedhjet janë firmosur nga të gjithë komisionerët e majtë. Sipas tij, kërkesa për të hapur kutitë e votimit është një kërkesë që në thelb cenon demokracinë dhe vë në zbatim idetë e disa filozofëve si Trocki, të cilët propagandonin revolucionin permanent. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se shoqëria shqiptare nuk mund të lejojë që si pasojë e mosmarrjes së opozitës vendi të kalojë në krizë. “Ata persona që mendojnë se mund t’i shkaktojnë katastrofë vendit, pësojnë vetëm katastrofë personale”, u shpreh ai. Po kështu, Kryeministri theksoi se Kushtetutën e vendit e ka shkruar opozita dhe ai nuk mund të ndërhynte në nenet e saj për sa i përket djegies së mandateve të deputetëve të opozitës pas datës 6 mars. Po dje, Kryeministri Berisha përshëndeti në mënyrë të veçantë deklaratën e kryetarit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Soares, i cili, sipas tij, kërkonte kthimin e opozitës në Parlament dhe hetimin e zgjedhjeve parlamentare të shkuara. Sipas Berishës, deklarata e përfaqësuesit të lartë të OSBE-së, është e rëndësishme për të nxitur konsensusin në tryezën e Presidentit Topi. Kryeministri theksoi se ai besonte në gjetjen e një konsensusi të prekshëm mes palëve në tryezën e Presidentit Topi. “Ky dokument i ri i lëshuar sot nga kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, me përkatësi partiake socialiste, të jetë një nxitje tjetër për suksesin e tryezës, nga e cila mund të dilet me rezultatet plotësisht të prekshme, që bëjnë të mundur kthimin e opozitës në Parlament”, theksoi Berisha pasditen e djeshme. Po kështu, Kryeministri theksoi se marrëdhëniet e tij me Presidentin Bamir Topi nuk mund të ndikonin në vullnetin e plotë që ai kishte për të zgjidhur krizën.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›