E Shtunë, 31 Tetor 2026

Levë pas koke policit në mes të komisariatit

I arrestuari deklaroi se e kreu veprimin, pasi urrente punonjësit e policisë

Një ngjarje e rrallë ka ndodhur në Tiranë, ku një punonjës policie është goditur me levë pas koke në mes të komisariatit. Autori i kësaj ngjarje ka mundur të hyjë brenda ambientit policor me një levë në kokë dhe ka qëlluar disa herë efektivin 30-vjeçar, me qëllim që ta vrasë. Vetëm ndërhyrja e oficerëve të tjerë e ka ndaluar agresorin 23-vjeçar, i cili pas arrestimit deklaroi se e kishte kryer këtë veprim për inat të policisë greke, që e kishin rrahur kur ishte emigrant i paligjshëm.

Goditja e policit

Sipas të dhënave të policisë kryeqytetase, ngjarja e rëndë është regjistruar mesditën e dy ditëve më parë, kur efektivi i policisë po shërbente në turnin e parë të punës në Komisariatin Nr. 6, që ndodhet në Kombinat. Ai ishte lënë nga komandanti i grupit me shërbim te porta e komisariatit, ambient i cili ruhet 24 orë dhe pa fletë-hyrje nuk lejohet të hyjë asnjë person që nuk ka lidhje me policinë. Kur ora shënonte rreth 12.30, një djalë i ri ka ardhur me një makinë “Mercedes Benz”, me targë TR 7573 H, të cilën e ka parkuar para komisariatit. Më pas, ai ka dalë nga makina dhe pa dhënë shpjegime ka tentuar të hyjë brenda komisariatit. Oficeri roje, që sipas policisë ishte Alaudin Hasanaj, 30 vjeç, i ka kërkuar llogari se ku po shkonte dhe nuk e ka lejuar të hyjë brenda. Në këtë kohë, djali i ri, i cili më vonë është identifikuar si Fuat Xhima, 23 vjeç, ka deklaruar se donte të hynte brenda në komisariat. Punonjësi i policisë e ka pyetur për çfarë arsyeje, por ai nuk ka pranuar dhe ka filluar të debatojë me të për arsye se nuk e linte të hynte brenda. Në këto kushte, 30-vjeçari e ka drejtuar të riun të qëndrojë larg derës së komisariatit dhe i ka kthyer kurrizin, duke kontrolluar gjithë territorin. Për pak çaste, Xhima është larguar dhe në këtë kohë mendohet se ka shkuar sërish në makinën e tij, ku ka marrë një levë. Me vrap ai ka hyrë brenda në oborrin e komisariatit dhe aty ka filluar të godasë disa herë efektivin e policisë, i cili ishte me kurriz kur i riu hyri me shpejtësi. Kolegët e policit janë llahtarisur nga skena e dhunshme, kur i riu po tentonte të vriste punonjësin e policisë. Ata kanë ndërhyrë dhe kanë neutralizuar 23-vjeçarin, duke e çuar në dhomat e shoqërimit. Nga ana tjetër, efektivi i policisë është dërguar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve, ai ka pësuar fraktura në kokë nga goditjet me levë, ndërkohë që ditën e djeshme, ka dalë jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet për rastin

Menjëherë pas këtij rasti flagrant, një grup pune ka nisur hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen. Sipas të dhënave hetimore, fillimisht nuk dihej arsyeja e ndodhjes së kësaj ngjarje, pasi punonjësi i policisë nuk ishte në gjendje të deklaronte asgjë, ndërkohë që i shoqëruari nuk pranonte të fliste. Oficerët e policisë gjyqësore kanë tentuar të flasin me të, por ai nuk ka pranuar. Pas disa tentativave të policisë, Fuat Xhima ka deklaruar se e kishte kryer këtë veprim pasi urrente policinë greke. Ai ka deklaruar se kur kishte emigruar në Greqi në mënyrë të parregullt, e ka kapur policia greke dhe ka ushtruar dhunë ndaj tij. Për këtë arsye, ai i urren policët dhe ka goditur efektivin Alaudin Hasanaj. Madje, në deklaratat e tij ka pasur kundërshti për arsye se herë thoshte se i dukej sikur ishte punonjës i policisë greke, e herë se e dinte që ishte shqiptar, por kishte inat policët. Duke marrë shkas nga kjo, policia ka verifikuar nëse ai ka probleme mendore, por nuk ka asnjë vërtetim për gjendjen e tij. Megjithatë, nga prokurori është kërkuar që atij t’i bëhen analizat nëse është në gjendje të mirë mendore, për të kuptuar statusin e tij. Nga ana tjetër, punonjësit e policisë kanë treguar se kolegu i tyre nuk kishte asnjë konflikt dhe nuk kishte probleme as me disiplinën. Ky rast ka shënuar një incident të rëndë në ambientet e policisë, ku agresori mund të kishte hyrë edhe me armë dhe mund të kishte kryer ndonjë tragjedi të mundshme. Për këtë arsye, në të gjitha ambientet policore, ditën e djeshme janë përforcuar masat e ruajtjes së objekteve. 23-vjeçari akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë në rrethana të tjera cilësuese, si dhe për hyrje me forcë në ambientet e sigurisë së veçantë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›