E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha akuza Ramës dhe Ballukut: Duhet të dorëhiqen të dy për tunelin e Llogarasë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shmangu çdo koment sot për humbjen në zgjedhjet e 9 nëntorit, duke u fokusuar tek beteja e opozitës në Parlament. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha akuzoi mazhorancën se ka mbyllur çdo hapësirë debati në Kuvend, pasi shumica dërrmuese e seancave janë mbyllur pa lejuar diskutimet; dhe sipas kryetarit të PD, opozita duhet të ndërtojë një strategji për t’u përballur me PS-në.

“Nuk duan parlament ata, por ne nuk bëhemi kurrë vegla të tyre. Ne lamë çdo gjë, shkojmë në parlament. Ju shkoni çdo ditë në komisione, dhe shkojmë aty, dhe ai e mbyll dyqanin aty. Merr mesazhin, ‘mbylle’ i thotë Edi Rama, e mbyll ai. Është Edi Rama ai që i bën të gjitha këto.”

Berisha shfrytëzoi mbledhjen e grupit parlamentar për të akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe numrin 2 të qeverisë, Belinda Balluku, si përgjegjës për tunelin e Llogarasë, por edhe për aeroportin e Vlorës; duke theksuar se në çdo vend demokratik, kryeministri duhet të kishte dhënë dorëheqjen.

“Por në vend që të japë dorëheqjen së bashku me Lubinë e tij, ai ka deklaruar në mbledhjen e partisë, në mbledhjen e Tiranës, se ky është një sulm që Skapi i partisë i bën Edi Ramës dhe Lubia nuk ka asnjë përgjegjësi. Nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore. Asnjë gjë prej gjëje. Dhe në fakt, siç e shihni, ajo vazhdon veprimtarinë, ndonëse si një fantazmë, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Sepse autori i kësaj është Edi Rama dhe kjo ka zbatuar urdhrat e tij kriminalë.”

Deri më tani, PD ka deklaruar se nuk do ta bojkotojë Kuvendin, pavarësisht situatës politike, por sot deputetët demokratë nuk shkuan në asnjë komision parlamentar, derisa të merret vendimi përfundimtar për marrëdhënien e opozitës me Kuvendin.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›