“Moment pozitiv për energjinë”, Rama: Brenda vitit të ardhshëm hyjmë në epokën e matësve inteligjentë

Gjatë prezantimit të projektit “OSHEE Charge”, kryeministri Edi Rama bëri me dije se, brenda vitit të ardhshëm Shqipëria do të hyjë në epokën e matësve inteligjentë.
Sipas kreut të qeverisë, ky inovacion do të kontribuojë në përmirësimin e procesit të faturimit dhe modernizimin e shërbimit publik të energjisë elektrike, duke e bërë sektorin më efikas dhe transparent.
“Në radhë të parë dëshiroj t’iu përcjell një përgëzim atyre që kanë punuar me këtë inovacion dhe që do t’i japin jetë një qasjeje të re, në aspektin e shërbimit publik sa i përket OSHEE-së, e cila do ta shtrijë këtë kapacitet edhe në karikimin e mjeteve elektrike. Ky është një lajm shumë i mirë që vjen në një moment shumë pozitiv për sektorin e energjisë, që është kthyer në një sektor ku inovacioni ka zënë hapësirën e vet dhe nuk punohet më në emergjencën e ditës, me ato histori që tanimë duket e pabesueshme t’i kemi jetuar ne, por kanë qenë histori të lodhshme e rraskapitëse të një periudhe kohe që zgjati deri jo shumë kohë më parë.
Për ta projektuar të nesërmen, ndërkohë që vazhdon intensivisht puna e përditshme, sot kemi këtë inovacion, ndërkohë që besoj se brenda vitit të ardhshëm do të kemi fillimin e punës transformuese për matësat e energjisë, duke kaluar në sistemin e matësave inteligjentë, me një parti të parë prej rreth 350 mijë matësash, dhe brenda këtij mandati do ta mbyllim edhe këtë proces, që besoj se do ta ulë edhe më tej nivelin e humbjeve elektrike në rrjet, duke e ulur nën mesataren e BE-së, por duke e rritur cilësisht edhe shërbimin e çdo konsumatori, duke riparuar ato të meta që ka procesi i faturimit.”, tha Rama.
Projekti “OSHEE Charge” synon karikimin e mjeteve elektrike në vend, si një mënyrë për të shkuar drejt energjisë së pastër, por edhe transportit të qëndrueshëm.