E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, akuza biznesmenëve privatë

Kryeministri i vendit Sali Berisha sulmon ashpër biznesmenët, që sot nuk rreshtohen krah tij


Hapja e kutive të votimit dhe rinumërimi i votave është kërkesa ultimative e grupit punisto-mafioz, që kërkon me çdo kusht të nxijë një prej arritjeve më të mëdha në rrugën e demokracisë, zgjedhjet e 28 Qershorit, kërkon të bllokojë me një don-kishotizëm aventuresk rrugën tuaj drejt Evropës, heqjen e vizave dhe procesin e integrimit.


Dua të theksoj se ky grup punistësh nuk udhëheq Partinë Socialiste, por udhëheq klanet e mafies më të rrezikshme në Ballkan, që e ka shndërruar Tiranën në një lavatriçe gjigante parash të pista, krimi monstruoz ekonomik, udhëheq kupolën e mafies shqiptare, Tan Dollakun, Kokëdhinë, Besnik Sulën, Tom Doshin, Yllin e partisë apo Fidel Yllin, Dash Pezën, Leskajn, etj. Këta zotërinj nuk kanë asnjë interes demokratik, kombëtar, njerëzor. Këta që shpenzuan me dhjetëra e milionë euro për të dhunuar votën tuaj dhe morën bërrylin, atë që meritonin në zgjedhjet e fundit, kanë një hall të madh shumë, një hall të paimagjinueshëm.


Perandorinë e tyre të krimit e pret fati i Aldo Bareve. Ky është zotimi im solemn. Këta nuk kanë hallin e kutive. Jo. Kanë hallin e ekonomisë së tyre, të bazuar fund e krye mbi krimin.
Të dashur qytetarë!


Sot unë kam këtu para jush një dosje, e cila dëshmon se Tan Dollakët, Leskajt, Kokëdhitë, Besnik Sulajt, Tomë Doshi, Ylli i Partisë Socialiste e ndonjë tjetër, vetëm në 2-3 vitet e fundit kanë marrë, duke dhunuar ligje e prona 500 mijë metër katror sipërfaqe ndërtimi. Kjo është akoma e pafinalizuar, me një vlerë totale, duke filluar nga zemra e Tiranës dhe e gjitha unazës, që shkon në 750 milionë euro. Më lejoni të dashur qytetarë, t'i paraqes ato.


Po filloj me Ilir Matën apo "kunatin e shokut Xhemal", kunatin e Dashit, i cili na e pastron edhe qytetin, sepse tenderët e pastrimit të qytetit vetëm Dashi i fiton. Ilir Mata ka me firmën e Edi Ramës, 21 mijë 350 metër katror leje ndërtimi. Në një vendim, 11 mijë metër katror, në tjetrën 9700, e tenderë të tjerë. Të gjitha në dhunim të pronave e ligjeve.


Pas tij, vjen Nard konstruktori. Keni dëgjuar për "Nard construcion", demokristian e ateist. Ky ka 27.743 metër katror, të gjitha në dhunim të ligjeve dhe pronave.
Pas tij, vjen Koço Kokëdhima apo Koço bashkia. Ai ka 24.800 metër katror leje të ndryshme ndërtimi.


I përmendim me radhë; sipërfaqe ndërtimi 6.072 metra katror, me firmë të kryetarit Edi Rama, sipërfaqe 6.062 metra katror, me firmë të kryetarit Edi Rama, 5670 metër katror sipërfaqe ndërtimi, me firmë të kryetarit Edi Rama, 6.950, me firmë të Edi Ramës, 6108 metra katror sipërfaqe, me firmë të Edi Ramës.


Pastaj në listë vjen Tomë Doshi, me një sipërfaqe prej 29.600 metër katror leje ndërtimi. I përmendim vendimet; Tomë Doshi 15.100 metër katror, në vitin 2007, me firmë të kryetarit Edi Rama, 14.500, në vitin 2008, me firmë të kryetarit Edi Rama.


Pastaj vjen Ylli i Partisë, Fideli. Fideli ka 47.884 metër katror leje ndërtimi. Nuk është punë kutish këtu, është punë kasafortash. I rendisim: Fidel Ylli, 4.320 metër katror sipërfaqe, me firmë të kryetarit Edi Rama, 21.532 metër katror, në vitin 2008, e tëra në dhunim të hapur të ligjeve, me firmë të kryetarit Edi Rama, sipërfaqja tjetër e Yllit të partisë, Fidelit të Ramës, 21.532 metër katror, me firmë të kryetarit Edi Rama.
Pas Fidelit të partisë vjen Besniku i partisë, Besnik Sula, me 45.977 metër katror. I rendisim: Në vitin 2008, 9.266 metër katror, në vitin 2007, 26.820 metër katror, në 2007, 685 metër katror, në vitin 2008, 8.076 metër katror. Besnikun e ndjek Sadri Abazi, me 53.800 metër katror.


Dhunime monstruoze në pronat e qytetarëve të Tiranës, por unë ju garantoj edhe në pronat publike. Këtu ka sipërfaqe me mijëra e mijëra metra katror të shitura nga Edvini, Besnik Sulës, me mijë lekë të reja metrin katror, flas gjithnjë për tokë brenda unazës së kryeqytetit.


I rendisim; Sadri Abazi, 15.911 metër katror në vitin 2008, 5160 metër katror në vitin 2008, 21.970 metër katror. Këtyre sikur u pjellin kutitë toka.
Arian Leskaj ngjitet më lartë në kupolë, ku ai vendoset me 61.840 metër katror leje ndërtimi. Në vitin 2008, 16.922 metër katror, në vitin 2007, 5.747 metër katror, në vitin 2007, me 1534 metër katror, në vitin 2008, me 7.286 metër katror, në vitin 2005, me 30.410 metër katror.


Në krye të kupolës është Don Dollaku, me 145.366 metër katror , nga të cilat, vetëm tokë e vjedhur në zemër të Tiranës, tokë publike, është 54.153 metër katror, toka e supozuar sipas tyre te xhamia e Karapicëve, te Lidhja e Shkrimtarëve, etj., ku dokumenti paraqiste inaugurimin e saj në vitet '32 dhe ne na servirej sikur na ishte ndërtuar pas lufte, sikur Xhani Anjeli kishte ardhur në vitin '52 për të shitur tokën që kishte blerë.


Tan Dollaku, në zemër të Tiranës, ka përvetësuar me firmë të Edi Ramës 54.153 metër katror. Tan Dollaku, në vitin 2009 ka marrë 16.600 metër katror, në vitin 2005 ka marrë 14.273 metra katror, në vitin 2005 ka marrë 7.843 metër katror, në vitin 2007 ka marrë 1.680 metër katror, në vitin 2006 ka marrë 6.708 metër katror, në vitin 2007 ka marrë 1.031 metër katror, në 2007 ka marrë 204 metër katror, në vitin 2007 1.344 metër katror, në vitin 2006 ka marrë 11.050 metër katror, në vitin 2006 ka marrë 8.720 metër katror, në vitin 2007 ka marrë 11.050 metër katror, në vitin 2008 ka marrë 9.440 metër katror sipërfaqe ndërtimi...


Këto zgjedhje nuk i njohin një grusht individësh dhe kjo e sotmja është vetëm një arsye. Një kupolë mafioze, e cila vetëm në pronat e këtij kryeqyteti dhe vetëm në këtë dosje, ka vendosur një pasuri prej 750 milionë euro.


Në qoftë se në mandatin e parë, ne ia dolëm t'i gozhdojmë bandat një nga një, nga Aldo Baret te Dritan Dajti, pa diskutim që ky është mandati i gozhdimit tashmë i Aldo Bareve në pushtet, i Aldo Bareve me pamje xhentëlmeni, i Aldo Bareve që kanë vendosur miliarda euro pasuri krimi.
Edhe njëherë, ju deklaroj me përgjegjësi se kjo nuk është e shumta, kjo është më e pakta.


Ndaj këta zotërinj nuk njohin zgjedhjet. Ndaj edhe këta zotërinj shpërndajnë emisarët ditëzinj, ku kërkojnë të mos hiqen vizat... Çdokush mund të mendojë se është ashpërsuar qëndrimi ndaj opozitës. Absolutisht jo. Opozita ka vendin në parlament, është e mirëpritur. Oferta që unë i kam bërë opozitës është ofertë e ndershme dhe unë mund t'ju them ju se është konsideruar e tillë nga i tërë spektri politik evropian, me përgjegjësi të plotë.


Opozita nuk do të jetë kurrë ajo që do të gjejë një gjuhë të tillë nga unë. Përkundrazi. Por, kjo është një kupolë që nuk ka interesa të tjera, nuk ka interesa të demokracisë. Imagjinoni, sot Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku një pinjoll i "Bllokut", deklaron se nuk njoh vullnetin legjitim të shqiptarëve, deklaron se do të shkelmojë mbi gjykatat, i kërkon Kryeministrit të ndërtojë komision hetimor për gjykatat, nesër do të më kërkojë komision hetimor për të liruar Don Dollakun apo Aldo Baren, pasnesër do më kërkojë kompromis për t'i dhënë KRTRRSH-në që shqiptarët ia hoqën nga duart, për të vazhduar këtë krim monstruoz, ditën tjetër do kërkojë t'i japë Presidentin e Republikës, ashtu siç çon mesazhe poshtë e përpjetë, apo ndonjë llokmë tjetër. Opozita është e mirëpritur, oferta është e bërë, por në mënyrë absolute, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi për vendimin e gjykatës.


Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi për ndarje pushteti, siç kërkon ai.
Marrë me shkurtime nga konferenca e djeshme për shtyp e kryeministrit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›