Skadon afati për kutitë, PS vendos sot strategjinë
Rama mbledh sot grupin parlamentar dhe të zgjedhurit e pushtetit vendor
TIRANË - Partia Socialiste do të përcaktojë sot strategjinë që do të ndjekë në vijim për plotësimin e qëllimit të vetëm, që i ka mbetur tashmë pas skadimit të afatit për hapjen e kutive të votimit, që është rrëzimi i qeverisë Berisha dhe garantimi i zgjedhjeve të parakohshme, si zgjidhja e vetme për krizën politike, në të cilën është futur vendi.
Për këtë qëllim, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thirrur sot në mesditë një mbledhje të përbashkët të grupit parlamentar socialist dhe të zgjedhurve të pushtetit vendor.
Gjatë këtij takimi parashikohet që të diskutohet pikërisht situata e rëndë politike dhe natyrisht të merret vendimi lidhur me hapat që do të ndërmerren tashmë prej partive opozitare në funksion të betejës politike për bërjen e transparencës së zgjedhjeve.
Megjithëse çdo gjë do të vendoset sot, mësohet se qëndrimi i prerë i mazhorancës për të mos lëshuar terren në këtë debat ka bërë të detyrueshme për opozitën që të kërkojë tashmë jo më hapjen e kutive, por largimin e qeverisë Berisha dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Kështu, duket se tashmë është momenti që PS-ja dhe forcat e saj aleate të ndryshojnë kurs dhe të kalojnë nga kërkesa për hapjen e kutive në atë për largimin e qeverisë së djathtë përmes protestave të pandalshme në të gjithë vendin, si rruga e vetme për të arritur zgjedhje të parakohshme.
Burime pranë grupit socialist bëjnë të ditur se njëri variant i mundshëm është organizimi i protestave të përgjithshme në të gjithë vendin, një strategji kjo e bërë publike në mënyrë të përgjithshme që pas protestës treditore në kryeqytet.
Por ndryshe nga protestat për hapjen e kutive të votimit, ato për rrëzimin e qeverisë Berisha, do të bashkojnë përveç opozitës edhe grupe të ndryshme interesi, siç është edhe pushteti vendor, i cili, gjithashtu, proteston për shkelje të të drejtave të tij nga ana e kësaj qeverie.