Berisha akuzon Ramën për statusin

Kryeministri Sali Berisha akuzoi sot kreun e Partisë Socialiste Edi Rama si shkaktarin e bllokimit të marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Sipas kryeministrit, Rama është në debat me struktura te PS mbi bllokimin që i beri statusit.
“Dhe unë ju garantoj ju se deri dje tentonte të mashtronte se aty ka një debat serioz brenda PS, udhëheqjes së saj për këtë veprimtari të paprecedent bllokuese. Nuk është gjë ajo fotoja me gjethe fiku se ç’është fotoja e tij sot, që bllokoi vendin për marrjen e statusit të integrimit, ajo foto është lule”, u shpreh Berisha sot në mbledhje qeverie ku pritej të diskutoheshin disa vendime të rëndësishme.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kreu i PS-së, Edi Rama realizoi një qëllim ogurzi, qëllimin e bllokimit të marrjes së statusit, por ndryshe nga sa thotë ai, KE nuk e ka kushtëzuar statusin me zgjedhjet. Sipas Berishës në këtë veprimtarinë e koordinuar bllokuese të tij, Rama, tha kryeministri, në mënyrë të përsëritur publikisht e privatisht u deklaroi mbështetësve të tij se statusi do kushtëzohet me zgjedhje dhe kjo nuk ndodhi, raporton Koha.
“KE kur rekomandoi statusin, deklaroi se zgjedhjet do jenë kusht për hapjen e negociatave dhe jo statusin. Rama u thoshte prisni se do dalë deklarata që do kushtëzojë statusin, deklarata doli, por në mënyrë që shqiptarët të mos e lexojnë sipas Ramës, të dy përfaqësuesit më të lartë u shprehën që Këshilli vendosi që KE të informojë këshillin sapo të votohen tre ligjet, që Rama i bllokoi”,- tha Berisha./Indeksonline/