E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha bashkebisedim me gazetaret PD do fitoje zgjedhjet e 2013-es

Kryeministri Sali Berisha premtoi gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët se do te fitoje zgjedhjet e 2013, pasi ka programin ekonomik më të mirë, i cili ka rezultuar i suksesshëm për të gjitha vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike. Ndryshimet që kanë ndodhur, tha Kryeministri i bëjnë shqiptarët të besojnë. Ishte ky besim tha ai, i cili bëri që edhe amerikanët të votonin në favor të ndryshimit që përfaqësonte presidenti Obama.
“Zgjedhjet në SHBA u fituan nga Obama, që bëri ndryshimin dhe jo Romney që premtonte ndryshimin. Cili mund të besojë Ramën me premtimet që bën? Njerëzit paguan 1 milion lek për tabelën e dyqanit”- u shpreh ai.

Berisha fton sërish Ramën të votojë 3 ligjet e integrimit
Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar bashkëbisedimin me gazetarët për t’i bërë sërish ftesë Edi Ramës për të votuar tre ligjet e integrimit, si një përgjegjësi e madhe para qytetarëve shqiptarë në 100 vjetorin e pavarësisë. Ai u shpreh i prerë në qëndrimin e tij për ofertën që i ka bërë kreut të opozitës për qarkun e Fierit dhe tha see shpresonte që Rama ta pranonte ofertën e tij për mocion.
“Mendja dhe sytë e çdo shqiptari janë drejtuar në sallën e parlamentit të enjten që vjen nëse do votohen këto tre ligje të vendosura si parakushte në mënyrë që rekomandimi pozitiv i KE-së të marrë vlerën e plotë. Unë ftoj edhe njëherë zotin Rama të votojë këto 3 ligje që janë përcaktuese për qëndrimin përfundimtar të KE-së ndaj cështjes së statusit të Shqipërisë për vend anëtar. Këto 3 ligje u cituan në mënyrë eksplicitë nga komisioneri Fyle, si kërkesa në mënyrë që në raportin e komisionit në 20 nëntor të japë informacionin për vendet anëtarë se Shqipëria plotësoi këto kërkesa. A do të votohen ato ditën e enjte unë dëshiroj që të votohen”-nisi bashkëbisedimin me gazetarët kreu i qeverisë.
Ai tha se do të ishte një përgjegjësi shumë e madhe para çdo qytetari shqiptar para ëndrrës evropiane të shqiptarëve, bllokimi në këtë vit të 100 të pavarësisë, apo votimi kundër në parlamentin shqiptar për ligjet e kërkuara.
“Ju keni dëgjuar një ofertë që unë kam bërë ditët e fundit dhe në mënyrë absolute oferta ime ka synuar dhe ka si synim vetëm hapjen e rrugës dhe krijimin mundësive për opozitën që të dalë nga orbita bllokuese në të cilën është pozicionuar”- vijoi ai.
Më tej kryeministri informoi qytetarët shqiptarë për ofertën që i ka bërë Ramës për të votëbesuar secilin nga 50 anëtarët e këshillit të qarkut, ndërkohë që i quajti qesharake deklaratat e eksponentëve të PS se mocioni nuk ekziston. Ai sqaroi edhe nenin 32 të qeverisjes vendore.
“Nëse Rama pranon do ishte mirë që 43 anëtarët e PS në këshillin e qarkut do ishte zgjidhja me e ndershme politike. Deklarata se mocioni nuk ekziston si mundësi janë qesharake që u bëhen qytetarëve nga eksponentë të PS. Neni 32 i qeverisjes vendore përcakton në mënyrë taksative të drejtën e anëtareve të këshillit të komunave e bashkive për të zgjedhur dhe shkarkuar anëtarët e këshillave të qarqeve dhe për të gjithë ata që njohin forumet e zgjedhura është abc-ja”- theksoi Berisha, i cili akuzoi Ramën se e kanë kapur ethet e pushtetit dhe nuk di çfarë bën.
Kryeministri i bëri thirrje kreut të opozitës që të mos ta lidhë fatin e Shqipërisë me qarkun e Fierit, ndërsa e akuzoi atë se përdor dy standarde një në Bubullimë e një në Fier.

Berisha: Prokurori i Përgjithshëm, ekskluzivitet i Presidentit
Përsa i takon zgjedhjes së prokurorit të Përgjithshëm kryeministri përmendi Kushtetutën, në bazë të së cilës prokurori i përgjithshëm është tërësisht ekskluzivitet i Presidentit të Republikës.
“Grupi i PD ka besim se Presidenti do të përzgjedhë një personalitet të gjyqësorit. Unë kam preferencat e mia, por unë jam kryeministër nuk vendos unë”- tha ai.

Berisha: Këtë vit buxheti më i madh në histori
“Sërish ky buxhet do jetë buxheti më i madh në historinë e këtij vendi dhe kjo është dëshmia më e qartë e përformancës ekonomike”- Kështu iu përgjigj kryeministri pyetjes së gazetarëve, ndërsa theksoi se edhe këtë vit rritja ekonomike do të jetë shumë e përafërt me parashikimin.
Përsa i takon borxhit publik ai tha se: Vitin që vjen ne jemi zotuar të qëndrojmë në një borxh publik rreth 60% plus minus 2%. Këtij zotimi do i përmbahemi”- vijoi më tej kryeministri.
Ai nënvizoi se qeveria e tij mbështeti reformat që nxitën biznesin duke mbrojtur në këtë mënyrë ekonominë shqiptare.
“Nuk kemi marrë borxh për asgjë tjetër veçse për investime. Praktika 5-vjecare dëshmon sukses të plotë. Duke nxitur bizneset ne do mbrohemi nga kriza”, nënvizoi ai.

Ndërsa duke folur për taksat, kryeministri ironizoi sërish taksën progresive të propozuar nga Rama dhe tha që “Ne besojmë tek taksat e ulëta. Do lehtësojmë barrën fiskale të sipërmarrjes. Ne hoqëm TVSH për të gjitha makineritë”, tha Berisha
Berisha akuzoi opozitën edhe për votimin kundër për 7 vjet të rritjes së pagave dhe pensioneve, ndërkohë që premtoi se do t’i rrisë sërisht ato.

Berisha: Privatizimi i “Albpetrol”, çdo dollar për qytetarin
Kryeministri Berisha premtoi edhe njëherë se çdo dollar i ardhur nga privatizimi i Albpetrolit do përdoret për të mirën e qytetarëve shqiptarë.
“Kurorëzimi me sukses i atij procesi detyron qeverinë që në përputhje me angazhimin e shpallur solemnisht, çdo dollar do kthehet në mirësi për qytetarët shqiptarë, ky është qëndrimi im i palëkundur, do bëjmë gjithçka që të kthehet në një levë të fuqishme të ndikimit direkt në jetën e qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Berisha: Marrëdhënia e qeverisë me CEZ, tranpsarente
“Çdo marrëdhënie e kësaj qeverie me kompanitë është kryekëput transparente”- tha shefi i ekzekutivit duke iu referuar dhe marrëdhënies më CEZ. Sipas tij janë dhën fonde që energjia të mos mungojë, por humbjet janë rritur në mënyrë të ndjeshme.
“Borxhi i sipërmarrjeve publike janë llogari publike, por nuk është përcaktuar në performancën e shpërndarjes së energjisë”- deklaroi ai.

Berisha: Koalicioni me LSI, i suksesshëm, do vijojë
I pyetur nëse koalicioni me LSI-në do të vazhdojë edhe gjatë zgjedhjeve të ardhshme, kryeministri shprehu qartë se është në favor të vazhdimit të bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim jo vetëm në zgjedhjet e ardhshme por edhe më tej. Sa i takon organizimit të PD-së për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare kryeministri Berisha tha se ky proces ka nisur dy muaj më parë dhe ka një klimë të favorshme në kët drejtim. Ai solli si fakt edhe fluksin e anëtarësimeve në parti dhe kjo është një parapërgatitje për fitore të thellë përfundoi shefi i mazhorancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›