Arrestimi i Karaxhiçit nuk është show
Karaxhiçit i ngarkohen dy krimet më të rënda nga lufta në Bosnjë, masakra e Srebrenicës dhe rrethimi katërvjeçar i Sarajevës. Më 7 korrik 1995, serbët sulmuan një pozicion vëzhgues të trupave holandeze në Srebrenicë, zonë e mbrojtur me Rezolutën 819 dhe 824 të Këshillit të Sigurimit të prillit 1993. Në ditët në vijim forcat serbe kapën robër 55 ushtarë holandezë. Bashkësia ndërkombëtare në mënyrë që të shpëtonte ushtarët robër, kundërshtoi të ndërmarrë sulme ajrore. “Praktikisht e flijoi Srebrenicën”, - pati thënë presidenti i parë boshnjak, Alija Izetbegoviç.
A mund të ndalej fatkeqësia e këtyre përmasave? Kjo është një pyetje që do të shtrohet para secilit prej nesh dhe secilit njeri të përgjegjshëm në botë, derisa të mos merret përgjigje e drejtë dhe e sinqertë…. Më 11 korrik forcat serbe hynë në qytetin e Srebrenicës, datë e cila shënon vrasjen e 8.000 djemve, burrave dhe pleqve boshnjakë. NATO nuk ndërmori aksion.
Në shenjë proteste për shkak të sjelljes qyqare të bashkësisë ndërkombëtare në rastin e Srebrenicës dhe Zhepës, Tadeusz Mazowiecki dha dorëheqjen më 27 korrik 1995 nga funksioni i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. “Individi nuk mund të flasë me konsekuencë për të drejtat e njeriut, derisa bashkësia ndërkombëtare dhe liderët e saj nuk kanë kurajë dhe vendosmëri që t’i mbrojnë këto të drejta”, - shkroi ky njeri i ndershëm në dorëheqjen e vet.
Në dhjetor 1999, u publikua raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Kofi Annan, për tragjedinë e Srebrenicës. Raporti ishte pendimtar. Faktorët ndërkombëtarë pranuan përgjegjësinë.
Kanë kaluar 13 vjet të përpjekjeve të pasuksesshme të institucioneve ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Dështimet kanë dëmtuar reputacionin e Tribunalit të Hagës dhe kanë krijuar përshtypjen e rrejshme se veprimet e qeverisë së Serbisë paraqesin akte të vullnetit të mirë, gjë që nuk është kështu.
Janë ndërmarrë shumë operacione kërkimi pas tij dhe gjeneralit të armatës serbe, Ratko Mlladiç, në Bosnjë dhe në Serbi, ndërsa shumë herë autoritetet qeveritare në Beograd pohonin se nuk gjendet në territorin e Serbisë. Së fundi Karaxhiçi u arrestua, kur u ndalua në një autobus në Beograd.
Cilado qeveri e Serbisë e ka për detyrim ligjor ndërkombëtar arrestimin e të dyshuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, sipas instrumenteve juridike, e ato janë konventat ndërkombëtare për parandalimin e krimeve të gjenocidit, të pastrimit etnik dhe krimeve tjera, qoftë sipas traktateve diplomatike politike, të cilat i kanë vënë kushte për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian – ndjekjen dhe zënien e këtyre personave.
Fakti se organet e Serbisë po reagojnë me kaq vonesë për t’iu dhënë një satisfaksion të vogël të mbijetuarve të krimeve më të rënda ndaj njerëzimit në truallin e Evropës pas Luftës II Botërore është moralisht për keqardhje dhe trishtim e nga pikëpamja ligjore është pengim në punën e drejtësisë ndërkombëtare, mosbindje dhe mosrespektim ndaj një numri të madh të konventave, me të cilat ndalohet vetë akti i luftës dhe krimet e luftës.
Akti i këtillë na përkujton mosbindjen e Serbisë që t’iu përgjigjet obligimeve ndërkombëtare edhe sa i përket personave të zhdukur. Serbia duhet që menjëherë pas përfundimit të konfliktit të armatosur të japë informacione për personat e zhdukur, sepse e ka për detyrim ligjor. Kjo nuk ka ndodhur ende plotësisht, sepse ka mbetur i pandriçuar fati i qindra personave të zhdukur nga lufta në Kosovë.
Pikërisht për këtë të dyshuarit kryesorë për krime lufte të kryera në Bosnjë dhe në Kosovë duhet të dorëzohen në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Kjo Gjykatë ka autoritetin ligjor për të gjykuar dhe shqiptuar ndëshkime meritore sipas të drejtës ndërkombëtare.
Gjendja e sapokrijuar me arrestimin dhe dorëzimin e Karaxhiçit në Hagë nuk mund të shpjegohet me terma politikë si sinjal për lindjen e një politike të re nga qeveria e re e Beogradit, e dalë nga zgjedhjet e fundit.
Qeveria e re nuk mund të justifikohet politikisht duke përmbushur detyrimet ligjore, të cilat i janë grumbulluar si trashëgimi e turpshme e aktivitetit kriminal të qeverive pararendëse të saj.
Kombi serb duhet të informohet drejt, në mënyrë që të ndërgjegjësohet për krimet e kryera në emër të tij dhe për mënyrën se si është krijuar Republika Serbe e Bosnjës, ky entitet inekzistent dhe i panjohur kurrë më parë.
Serbia duhet përfundimisht të ndërpresë sjelljet e saj që kanë histori pastrimi etnik në këto 150 vitet e fundit dhe të hyjë në rrugën e evropianizimit. Ajo duhet të lirohet nga mendësia kolonialiste e mitike, nga mendësia se mund të jetojë duke u sjellë si xhandar ballkanik. Në do të ngjizet dhe sa do të marrë krahë kjo mendësi, Serbia do ta shohë, se është pikërisht e drejta ndërkombëtare, në të cilën thirret ajo, kur kundërshton Kosovën e pavarur, ajo e cila i ka mundësuar bashkësisë ndërkombëtare dhe popullit të Kosovës të ndërhyjë në mbrojtje të vlerave kulmore njerëzore dhe kundër krimeve më të tmerrshme në fund të shekullit XX. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë Serbinë që të manipulojë, duke u thirrur me argumente politike në të drejtën ndërkombëtare. Arrestimi i Karaxhiçit nuk duhet të marrë përmasat e një show.
Autori është autor i librit “Kosova neoshqiptarizma për shekullin e ri”, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi