E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, deputeteve: Do ta bëj hetimin ndërkombëtar

Tiranë- Pas konferencës kërcënuese ndaj prokurorisë, kreu i qeverisë, Sali Berisha ka theksuar edhe nga Kuvendi se do të bëjë hetimin ndërkombëtar për cështjen e Damir Fazllicit, duke ironizuar opozitën se nuk ka votat e mjaftueshme për një mocion ndaj tij.

“Tmerri i folësve të opozitës nga hetimi i pavaruar s’ka lidhje me Fazllicin. Opozita reagon kundër hetuesve ndërkombëtarë, sepse ka frikë se Brisha nesër do t’i përdorë ata për krime të tjera”- ka thënë Berisha, duke akuzuar anëtarë të Partisë Socialiste për lidhje me krimin, madje duke përdorur etiketime të vecanta për një pjesë prej tyre.

“Ju kërkoni një mocion për mua, por kontrolloni kokrrat, nëse i keni më bëni mocion, nëse jo s’është faji im është i juaji”- tha ai, duke shtuar prerë se hetimi i pavaruar do të bëhet, sepse ashtu është rregulli ndërkombëtar dhe kombëtar i vendit. Sipas tij, ky hetim, nuk synon asgjë, vec nxjerrjes së të vërtetës.

“Ju vazhdoni deri ditën e zgjedhjeve, se të jeni të sigurtë që kjo transparencë do të bëhet. Jam kryeministër unë, e kam për detyrim. Pse tromaksi ju, ca keni ju kur kryeministri kërkon hetim ndërkombëtar. Atë e vendos ai që ka shumicën. Shifni endrra ju dhe për këtë se kam fajin unë apo Fazllici. Jeni të llojisur në një mënyrë që s'ka gjë që ua nxjerr dot zhulin”- përfundoi Berisha.  Fill pas kësaj, ai u largua nga salla e Kuvendit, pa pritur replikën e gjithë atyre deputetëve që i përmendi emrin, si të lidhur me krimin dhe kriminelët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›