Importi i energjisë, 8 kompani në garë
Tiranë- Në garë për tenderin e energjisë për dy muajt në vazhdim janë vënë sot 8 kompani të huaja. Ato morën pjesë në tenderin e hapur ndërkombëtar të organizuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, (OSSh), për importin e energjisë elektrike për periudhën Nëntor-Dhjetor, 2008.
‘EFT, "GEN-I, ATEL, RUDNAP, GSA, EON, RED dhe EZPADA, janë kompanitë pjesëmarrëse në tender’- bënë me dije burime zyrtare.
Sipas tyre, sasia totale e energjisë së kërkuar është 218.600 MWH, e ndarë në të dy muajt, me vlerë totale prej rreth 22,3 milionë euro.
Për muajin nëntor, 2008, kërkesa e operatorit, është për sasinë prej 108.000 MWHme fondin limit prej 11.093.112euro. Ndërsa për muajin Dhjetor, eshte kërkuar sasinë prej 111.600 MWH, me fond limit prej 11.227.215 euro.
Përzgjedhja e firmave do të bëhet brenda 20 ditëve dhe pas kësaj do të lidhen kontratat nga komisioni i ngritur nga operatori. (ATSH)