E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dëshmoi me vepra që qytetarët janë të parët

22-06-2013 / Gazeta 55

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha deklaroi dje në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë, gjatë mitingut përmbyllës të fushatës së Partisë Demokratike se, kryeministri Sali Berisha ka dëshmuar me vepra dhe jo me fjalë, se të parët për të janë qytetarët shqiptarë. Në këtë shesh të mbushur si kurrë më parë, vijoi fjalën e tij z. Basha, ne vijmë me premtime të mbajtura, me më shumë kilometra rrugë të ndërtuara, më shumë shkolla, qendra shëndetësore, spitale, më shumë biznese e mundësi më të mëdha punësimi sepse zgjodhëm lidershipin e duhur. “Falë këtij lidershipi ne po përjetojmë zhvillimin kudo në fshat, qytete e kryeqytet”, deklaroi Basha. Tirana, tha ai, po ecën e po zhvillohet çdo ditë, por theksoi ai, ne kemi nevojë të vazhdojmë përpara dhe për këtë na duhet Sali Berisha.     
Rruga për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, liberalizimi i vizave për qytetarët në mënyrë që ata të lëvizin të lirë në të gjithë botën nuk ka qenë e lehtë, por nënvizoi Basha në fjalën e tij, ne ia kemi dalë falë përkushtimit të lidershipit, Sali Berisha.
“Shqipëria ka nevojë për modelin e Sali Berishës dhe modelin e PD-së, modeli që ka sjellë zhvillim dhe ka hapur mijëra vende pune”, tha Basha, ndërsa shtoi se, “modeli i PD-së është ndryshe nga modeli i taksave të larta të Edi Ramës që solli rrënimin e biznesit dhe Kryeqytetit”. Jemi këtu para jush, tha Basha, për zhvillimin dhe integrimin e vendit në BE, jo si Edi Rama që zgjodhi rrugën e gënjeshtrës, kërcënimit dhe kthimit pas të vendit. Modeli i tij, tha ndër të tjera Basha ka dështuar dhe këtë e dinë më mirë qytetaret e Tiranës. “Dështoi si kryetar bashkie, pasi nuk e bëri kurrë realitet premtimin për planin urbanistik të Tiranës, dështoi si Kryetar i PS-së pasi ka zhgënjyer çdo shqiptar, sepse nuk nguroi të vinte interesin e tij personal mbi interesat e qytetarëve shqiptarë”, tha Basha. Ai ftoi qytetarët të votojnë PD-në, pasi siç u shpreh ai, së bashku do të ecim përpara për më shumë zhvillim, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›