Si mund të presin socialistët e thjeshtë trajtim të mirë nga Rama, kur kontributorët e mëdhenj të PS i ka përjashtuar dhe i ka fyer rëndë?
Ditë mbas dite po vjen edhe 23 qershori, dita kur shqiptarët në shtetin shqiptar do të përcaktohen ndërmjet për dy koalicionet kryesore zgjedhore, që do të qeverisin vendin, ose që do jenë në opozitë edhe për katër vitet e ardhshme. Përballë është koalicioni i së djathtës dhe i qendrës së djathtë në krye me Sali Berishën, dhe koalicioni i së majtës dhe i qendrës së majtë, në krye me Edi Ramën. Dhe ky përcaktim i shqiptarëve do të bëhet pasi kanë dëgjuar si njërin, ashtu edhe tjetrin koalicion për atë që është arritur deri tash, si dhe projeksionet për atë qo do arrihet në katër vitet që vijnë. Në këtë kuptim, shqiptarët do të zgjedhin ndërmjet koalicionit të djathtë dhe të qendrës, i cili është dëshmuar si koalicion që realizon programin qeverisës, si dhe opozitës së majtë që gjatë tërë kohës së të bërit opozitë ka bllokuar çdo interes shtetëror dhe kombëtar që ka mundur qoftë për interesa personale të Edi Ramës dhe të grupit të tij të ngushtë. Kështu, nëse shumica aktuale qeverisëse ka hyrë në këtë fushatë dhe pret të konfirmohet edhe në një mandat qeverisës pas tetë vitesh realizimesh të premtimeve të saj, pas anëtarësimit në NATO, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në dhe pas liberalizimit të vizave me këtë institucion ndërkombëtar, e që po ashtu, ka kryer të gjitha detyrat që i takonin dhe që mund t’i kryente si shumicë qeverisëse për të merituar statusin e vendit kandidat, dhe pasi që ka kryer reforma të shumta, ka liberalizuar tregun, ka ndërtuar rrugë, autostrada, tunele, ka subvencionuar bujqësinë, ka ulur taksat dhe ka përballuar krizën ekonomike, dhe për më tepër, ka ofruar një model ndryshe të qeverisjes ngaqë e kanë pasur shqiptarët gjatë tetë viteve të qeverisjes socialiste, opozita e majtë shqiptare vjen në këto zgjedhje me një platformë shumë kundërthënëse, utopike, dhe për pasojë edhe të parealizueshme, si dhe me një diskurs poshtërues, fyes e përbuzës. Është kështu, për faktin se nëse shumica qeverisëse foli konkretisht për projekte konkrete të realizuara, opozita e majtë në krye me Edi Ramën, i mohoi ato, duke i shtyrë besimtarët e tij që të besonin ato që thoshte ai, e jo ato që shihnin ata me sytë e tyre; nëse e djathta bënte realitet rritjen e rrogave, të sigurimeve sociale dhe pagesat për të papunët, opozita e Edi Ramës votonte kundër tyre; nëse shumica qeverisëse bënte realitet rrugët, autostradat, tunelet, ujësjellësat, kanalizimet dhe projektet të tjera në funksion të qytetarëve dhe të vendit, opozita e Edi Ramës u mundua të minimizonte ato, t’i ironizonte dhe t’i tallte, sikur të ishin kulla prej letre; nëse shumica qeverisëse bënte realitet integrimin e shtetit shqiptar në struktura euro-atlantike, opozita e Edi Ramës bënte gjithçka që të bllokonte, dhe kur nuk mund të bllokonte, organizonte forma tribale dhe talibaneske politike, siç ishin fishkëllima me bilbila, protesta në rrugë, në Kuvend, në institucione ndërkombëtare, greva të urisë, dhe përpjekje për të përmbysur pushtetin me dhunë.
Përveç këtyre, të djathtën dhe qendrën e djathtë, dhe opozitën e majtë i dallon tepër shumë moraliteti politik, sidomos trajtimi i aleatëve, sepse e djathta ka dëshmuar se i qëndron marrëveshjeve që bën me aleatët, kurse e majta në krye me Edi Ramën, jo vetëm që nuk i respekton, por edhe i përbuz. Sidomos katër vitet e fundit, e djathta i qëndroi besnike marrëveshjes me LSI-në për bashkëqeverisje, kurse e majta përfshirë edhe vetë LSI-në, treguan pabesi sa herë që iu dha mundësia. Në fund të fundit, edhe hileja me KQZ-në ishte një nga pabesitë që LSI i bëri ish-partneres së saj, PD-së, duke dëshmuar se pabesia është një nga elementet thelbësorë të së majtës. Dhe nga këtu duhet të fillojë reflektimi i shqiptarëve, sepse pabesia pjellë tradhtinë, pjellë mashtrimin, pjellë mosbesimin dhe pjellë të gjitha të këqijat e tjera, sidomos kur bëhet fjalë për opozitën e majtë, e cila ka një vazhdimësi historike në këtë drejtim. Me këtë rast mjafton t’i kujtojmë vetëm dy momente që në mënyrë tepër të madhe shpërfaqin pabesinë, mosbesimin dhe mungesën e respektit për njerëzit e vetë PS-së: momenti i parë ka të bëjë me pabesinë e madhe që Edi Rama ka treguar ndaj komisionerëve të PS në zgjedhjet e vitit 2009, kur i quajti të shitur te Saliu, mbi të cilët u mundua ta ndërtonte alibinë e humbjes, kurse momenti i dytë është spastrimi i PS-së nga kontributorët e saj dhe të vetë Edi Ramës, siç janë të fundit edhe Islami, Malaj, Dogjani dhe Kadeli. Këto momente duhet të jenë në vëmendjen e madhe të vetë votuesve socialistë, sepse fyerja që ua bëri rreth 20 mijë komisionerëve të PS si të shitur, e rrjedhimisht edhe si tradhtarë, është një fyerje që u është bërë njerëzve ndër më besnikë të partisë, njerëzve militantë të saj, duke dëshmuar kështu se të tillë trajtim do të kenë të gjithë votuesit e majtë, e që është trajtim poshtërues, fyes dhe përbuzës. Në anën tjetër, momenti tjetër, ai i përjashtimit të Islamit, Malajt, Kadellit e Dogjanit, por jo vetëm i këtyre, është një moment shumë interesant dhe i rrezikshëm për vetë të majtën shqiptare, përkatësisht për të gjithë ata që angazhohen për të, sepse nëse Edi Rama ka mundur të përjashtojë Kastriot Islamin, i cili ka një kontribut tepër të madh në transformimin e Partisë së Punës në Parti Socialiste, që ka një kontribut të madh në fitoret e PS, por mbi të gjitha ka hartuar sistemin aktual zgjedhor, i cili më shumë se çdo sistem tjetër është i favorshëm për të majtën për shkak se mbështetet në një proporcional-rajonal, e që maksimizon votat e zgjedhësve të majtë, atëherë çfarë qëndrimi do të mbajë ndaj socialistëve të thjeshtë. Po ashtu, nëse Edi Rama, nxjerr jashtë Malajn, një nga kontributorët e mëdhenj të PS-së ndër vite, atëherë çfarë qëndrimi do të mbajë ndaj socialistëve të thjeshtë? Nëse Edi Rama nxjerr jashtë Dogjanin, i cili kishte pranuar të futej në grevë urie për llogari të Edi Ramës, atëherë çfarë qëndrimi do të mbajë ndaj socialistëve të thjeshtë? Nëse Edi Rama nxjerr jashtë Kadelin, i cili ka pasur kontribut të madh për rritjen e PS-së në Lezhë, nga kishte dalë kuvendar, atëherë çfarë qëndrimi do të mbajë ndaj socialistëve të thjeshtë? Por jo vetëm që i nxori jashtë gjithë këto personalitete të rëndësishme të së majtës, por edhe ndaj tyre zhvilloi fushatën më të mjerë dhe poshtëruese që mund të bëhej. Të gjithëve, por socialistëve të thjeshtë në veçanti, do të duhet t’u kujtohen skenat e dhunshme dhe kafshërore të bëra nga kamikazë të Edi Ramës ndaj Kastriot Islamit në sallën e Kuvendit, por edhe ndaj familjes së tij para shtëpisë ku banon ai. Socialistët e thjeshtë duhet të kujtojnë mirë se Kastriot Islami për një çast, nga një kontributor i madh i PS-së, nga Edi Rama u trajtua tradhtar, punist etj., vetëm e vetëm se guxoi të bante një qëndrim kritik ndaj Edi Ramës për dëmet që ia ka bërë PS-së, dhe vetëm e vetëm se nuk kishte pranuar të vepronte si analfabetët, robërit dhe skllevërit e tjerë politikë në PS, të cilët i binden tekeve të Edi Ramës, jo si një kryetari të partisë, por si një kryetari të një sekte obskurantiste. Në anën tjetër, Edi Rama nuk përtoi të shkonte edhe në Lezhë dhe t’u thoshte se Kadeli është një tradhtar. Dhe këto fyerje nuk janë thjesht shprehje e mllefit personal ndaj atyre që pasi i nxori nga partia, i poshtëroi me epitete më fyese, por si vazhdimësi historike që e majta ka pasur ndaj njerëzve që nuk u janë bindur verbërisht, që nuk kanë dashur t’u përdhoset kontributi i tyre për të majtën. Rasti i Islamit, Kadelit, Dogjanit është rasti që dëshmon se për Edi Ramën nuk ka kontributorë të partisë, nuk ka njerëz me dinjitet dhe integritet, por ka kontributorë personalë, ka robër dhe skllevër. Prandaj socialistët e thjeshtë duhet të kuptojnë se sado i madh që të jetë kontributi i tyre për PS-në, secili është kandidat për t’u trajtuar nga Edi Rama si tradhtar. Kjo do ndodhë nesër, nëse me votat e tyre, socialistët e thjeshtë do t’ia mundësojnë që të jetë kryeministër, dhe nëse do të fillojnë të kërkojnë llogari për mosmbajtje të premtimeve. Pra secili socialist i thjeshtë që do guxojë nesër të kërkojë llogari për mosrealizim premtimesh nga Edi Rama, do të përballet me akuza për tradhti. E socialistët, sikurse të gjithë shqiptarët, duhet të kuptojnë se Edi Rama nuk kërkon pushtet për të realizuar premtime, as për të mirëqeverisur, pasi që ai vetë e ka pohuar se ai nuk e di sa janë të realizueshme premtimet që ka bërë, por kërkon pushtet për interesa personale dhe të sektit të tij. Dhe për këtë qëllim, ai është i gatshëm për gjithçka, përfshirë edhe përpjekjen për të marrë pushtetin me dhunë, përkatësisht për të rishkatërruar shtetin, e bashkë me të, edhe të të gjitha interesave të shqiptarëve si komb, pra edhe të vetë socialistëve.