E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Refuzoni 29-ën, është numër ters

22-06-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në qytetin e Vlorës, një investim me vlerë rreth 13 milionë euro: “Vlora, perla e Mesdheut, sot renditet në hartën e qyteteve më të pastra të Europës dhe të botës”

Një ditë para heshtjes elektorale, kryeministri Sali Berisha ka ftuar sërish qytetarët të votojnë të dielën për Partinë Demokratike ndërsa nuk ka kursyer as batutat për Partinë Socialiste. Nga qyteti i Vlorës ku përuroi impiantin e ujërave të zeza, kryeministri Berisha u shpreh i sigurt se shqiptarët do të votojnë numrin 44 dhe jo 29-ën, të cilin e quajti si numër ters. “Ju bëj sot një thirrje miqësore vlonjateve dhe shqiptarëve, të dielën të zgjedhin numrin 44, shqiptarët përveç mundit dhe djersës meritojnë dhe faktet dhe ky është fakt dhe shqiptarët e dinë, janë të mençur dhe nuk kanë arsye që të prekin numrin e tersit, të prekin 29, kjo është e vërteta” - tha kryeministri. Nga Vlora kryeministri Berisha ftoi gjithë qytetarët të marrin pjesë në mitingun përmbyllës të Partisë Demokratike në Tiranë. “Ju ftoj sot të festojmë në Tiranë, kudo që jeni, në orën 7.44 minuta, të festojmë së bashku me shpirtin e fitores së merituar, besimin te e ardhmja dhe njëri-tjetri” tha Berisha. Ndërsa ka vlerësuar ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza, kryeministri Berisha theksoi se tani Vlora si perla e Mesdheut renditet në hartën e qyteteve më të pastërta të Europës dhe të botës. “Pas infrastrukturës rrugore dhe asaj të energjisë elektrike, infrastruktura ujore është jetike për zhvillimin e një qyteti. Vlora është qyteti i autostradave më të bukura të vendit, por edhe me infrastrukturën ujore më moderne”- u shpreh Berisha. Kryeministri ka garantuar se PD në pushtet do bëjë gjithçka të përfundojë çdo vepër tjetër, ByPassin projektet e mëdha për ansamblin natyror Sazan-Karaburun etj.
Berisha në Ballsh: Rama mendon vetëm për karrigen e tij/Ndërsa në mitingun përmbyllës në qytetin e Ballshit, kryeministri Sali Berisha ftoi sërish qytetarët të votojnë PD-në ndërsa ripërsëriti premtimet për rritjen e punësimit, e rrogave dhe pensioneve si dhe rritjen e ndihmës ekonomike. “Të bashkohemi për Mallakastrën e zhvilluar, kemi investuar këtu dhjetëra herë më shumë se më parë, ftoj socialistët të bashkohen me ne. Do lidhim Ballshin me autostradën, do ndërtojmë të gjitha rrugët e fshatrave, çdo shkollë e qendër shëndetësore që ka mbetur pa ndërtuar. Muajin që vjen ne do marrim statusin e vendit kandidat, do hapim negociatat, do përfitojmë qindra mijë euro investime. Zhvillimi i një vendi ka si kusht rritjen e mirëqenies, të ardhurave, ne po rrisim rrogat dhe pensionet po zgjerojmë fermat, jemi në rrugë të mbarë, le të vazhdojmë së bashku”, tha ai. Kryeministri Berisha gjithashtu ka sulmuar liderin e tij politik duke theksuar se “Rama punon vetëm për të siguruar një karrige, ndërsa vetë ai për të vazhduar projektet e Shqipërisë së zhvilluar dhe evropiane”. “Sali Berisha votën tuaj nuk e do për karrigen e tij, por që të vazhdojmë projektet, të ecim në rrugën e zhvillimit, integrimit, ndërsa shoku i autobusit s’mendon asgjë përveç karriges dhe autobusit të tij”, tha Berisha. Duke iu drejtuar socialistëve të Ballshit, Berisha tha se premtimi i vetëm i Ramës është se do mbyllë dyert e universiteteve duke sjellë modelin e kohës së shkuar. “Ju ftoj të mendoni një herë për kryetarin tuaj që nuk e shqipëroi njëherë fjalën rritje rrogash, pensionesh për fermat tuaja, premton heqje TVSH që ta marrin tregtarët, jo ju. Ne ju premtojmë rimbursim në dorë që të lulëzoni fermat”, tha kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›